IKMT Lezhë/ Bllokohen katër ngarkesa me lëndë drusore, 2 milion lekë gjoba për drejtuesit e mjeteve…

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Lezhë, njoftoi ndalimi dhe gjobitjen e katër personave që po transportonin lëndë drusore pa dokumente shoqëruese. Në një njoftim për shtyp IKMT tha se bllokoi mjetet që transportonin dru gjatë një kontrolli që filloi mbrëmjen e të enjtes në rrugën Rrëshen-Milot.

“Nga ky operacion u kapën në kushtet e flagrancës 4 subjekte duke transportuar me automjete lëndë drusore pa dokumentacion. Konkretisht shtetasi L.P banues në Pukë , M.G banues në Kurbin , P.R banues në Mirditë dhe P.M banues në Kurbin”, thuhet në njoftim.

IKMT thotë se aksioni ishte pjesë e inspektimeve kundër krimit mjedisorë dhe se katër personat u gjobitën me nga 500 mijë lek, ndërsa lënda që iu kap atyre u sekuestrua dhe u magazinua pranë Bashkisë Lezhë.

Aksioni u drejtua nga drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë Flori Gjini, ndërsa bëhet me dije se operacione të tillë  do të zhvillohen edhe në ditët në vijim.

Prej vitit 2016 Shqipëria ka në fuqi një moratorium për shfrytëzimin e pyjeve dhe ndaloi eksportin e lëndës drusore, por ky ligji nuk e ka ndaluar prerjen e paligjshme të pyjeve.

Sipas të dhënave nga ‘Global Forest Watch’, një shërbim monitorimi të pyjeve me qendër në SHBA, në vitin 2010, Shqipëria kishte 538 mijë hektarë pyje që mbulonin rreth 20 për qind të territorit të saj. Ndërkohë që nga miratimi i i moratoriumit në vitin 2016, në Shqipëri janë shkatërruar më shumë se 6858 hektarë pyje, pjesa më e madhe e tyre për shkak të shpyllëzimit.