Hyn në fuqi vendimi për rritjen e pragut të TVSH-së, nga 1 janari 2021 mbi 46 mijë biznese mund të dalin nga skema

Nga 1 janari 2021, biznesi i vogël me xhiro deri në 10 milionë lekë do të përjashtohet nga skema e TVSH-së. Ndryshimet nuk kufizojnë përfshirjen vullnetare në skemën e TVSH-së të bizneseve me xhiro vjetore mbi 5 mln lekë.

Vendimi për ndryshimin e shkallës të xhiros të bizneseve që do të përfshihen në TVSH u botua në Fletoren Zyrtare.

“Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10,000, 000 lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5,000 000 lekë”, thuhet në vendim.

46.1 mijë biznese mund të dalin nga skema e TVSH-së

Sipas të dhënave nga tatimet, numri i bizneseve që kanë deklaruar TVSH me xhiro nën 10 milionë lekë është 46.1 mijë deri në fund të vitit 2019. TVSH e paguar nga kjo fashë në vitin 2019 është 3.4 miliardë lekë lekë, ose rreth 27 milionë euro .

Kjo shumë është po sa rreth 2.6% e TVSH-së së paguar në vend. TVSH është zëri kryesor që sjell të ardhura në buxhet dhe në 2019-n, nga ky zë u mblodhën 132 miliardë lekë, ose 43% e totalit të të ardhurave nga tatimet e doganat.

Aktualisht për TVSH-në, pragu hyrës është 2 milionë lekë. Ky prag u ul dy vite më parë, nga 5 në 2 milionë lekë. Ky vendim u kundërshtua hapur në atë kohë nga Shoqatat e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohej për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha.

Nga heqja e tatim fitimit përfitojnë shumë më pak biznese, 93 mijë nuk paguanin as sot

Ndërkohë, Kuvendi miratoi dje dhe heqjen e tatim fitimit për bizneset e vogla me xhiro nga 5-14 milionë lekë. Nga 5% që paguanin më parë, tashmë tatim fitimi për ta bëhet zero.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Tatimeve numri i bizneseve me qarkullim nga 5-14 milion lekë nga të ardhurat e deklaruara për vitin 2019 nga deklarata e TFTH është 9,305. Këto biznese, paguajnë tatimfitimi të thjeshtuar prej 5%. Në vlerë, tatimfitimi (ose TFTH) i paguar prej tyre në vitin 2019 ishte 945 milionë lekë, ose 7.6 milionë euro (2.6% të totalit të tatimfitimit që është paguar nga bizneset në vitin 2019).

Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, në vend janë 94 mijë biznese të vogla, të cilat kanë një qarkullim nga 0-5 milion lekë, nga të ardhurat e deklaruara për vitin 2019 nga deklarata e tatimfitimit të thjeshtuar (TFTH). Këto subjekte, që përbëjnë 83% të subjekteve totale në vend, nuk preken nga ndryshimi i fundit, pasi edhe sot nuk paguajnë tatim fitimi.