
Një lajm i trishtë ka tronditur Shkodrën. 27-vjeçarja, për të cilën vetëm pak orë më parë u bë apel urgjent për dhurim gjaku, nuk ka mundur të mbijetojë.
E reja kishte sjellë në jetë binjakë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, duke pasur nevojë të menjëhershme për gjak të grupit 0 negativ. Thirrja për ndihmë u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe media, duke nxitur reagimin e shumë qytetarëve.
Megjithë angazhimin e mjekëve dhe gatishmërinë e njerëzve që iu përgjigjën apelit për të dhuruar gjak, 27-vjeçarja nuk ia doli t’i shpëtonte gjendjes kritike.
Ngjarja ka prekur thellë opinionin publik, ndërsa familja po përjeton dhimbjen e humbjes së madhe. Komuniteti shpreh ngushëllimet dhe mbështetjen e tij në këtë moment të vështirë.




