
Në pyetjen e presidentit Trump (2019) drejtuar kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern, se çfarë ndihme mund t’i ofrojë SHBA-ja Zelandës pas këtij akti terrorist, ajo thjesht iu përgjigj: …Simpati dhe dashuri për të gjithë komunitetet muslimane!
Muajin që lamë pas (mars 2019), opinioni botëror ishte dëshmitar i një akti me përmasa tragjike pikërisht në një vend ku askujt prej nesh nuk do t’i binte ndër mend se mund të ndodhë! Viktimë e terrorizmit kësaj radhe ishte Zelanda e Re!
Në bazë të Freedom House-it, Zelanda e Re konsiderohet një shtet që gëzon rekord kur janë në pyetje zgjedhjet e lira e të ndershme, garanton liritë civile dhe të drejtat politike, kurse liria religjioze është e mbrojtur me ligj dhe e zbatueshme në praktikë. Në zgjedhjet parlamentare të para dy viteve, një refugjate arriti që të fitojë ulëse në Kuvend. Ndërsa prioritet i qeverisë në vitin 2017 ishte reduktimi i varfërisë së fëmijëve, të cilën organizatat joqeveritare e kishin identifikuar si një problem të rëndësishëm në vend.
Megjithatë, vlen të thuhet se ky fenomen (lexo: varfëria e fëmijëve) në vendet e zhvilluara siç është Zelanda e Re, nuk ka të bëjë me privimin absolut të të mirave, por me mungesën e burimeve që pengojnë pjesëmarrjen e plotë të fëmijëve në shoqëri. UNICEF-i këtë fenomen e definon edhe si mungesë të aktiviteteve si, për shembull, mësimi i një vegle muzikore, luajtja e ndonjë sporti, ose mungesa e festimit të ditëlindjes!
Në këtë pjesë të botës ku ndodhemi ne, një shtet të tillë do ta hasnim vetëm në ndonjë vepër imagjinare utopike që flet mbi rregullimin shtetëror sikurse Qyteti i Diellit (Tommaso Campanella), ose Utopia (Thomas More)!
Megjithatë, edhe ky vend, i cili është shembull i demokracisë, mirëqenies dhe oazë e paqes, u godit nga terrorizmi që erdhi si rezultat i islamofobisë, racizmit kulturor dhe ndenjës së supremacisë së të bardhëve kundrejt të tjerëve që nuk janë sikur ata, në këtë rast kundër muslimanëve.
Duket se në takimet e nivelit të lartë të diplomacisë multilaterale, tanimë pjesë e agjendës, krahas problemeve të shumta globale qoftë politike, ekonomike, etike e ekologjike, që ballafaqohet planeti, do të duhej të zinte vend edhe luftimi i islamofobisë si një fenomen që kërcënon paqen!
Islamofobia është një koncept që shpreh frikën, urrejtjen dhe poshtërimin e drejtuar kundër Islamit dhe muslimanëve.
Sulmi terrorist në Zelandën e Re shfaq natyrën e rritjes alarmuese të islamofobisë. Sa për ilustrim, mund të përmendim që në vitin 2017 në Francë u raportuan 121 incidente të islamofobisë, në Austri 256, në Gjermani ndodhën 100 sulme në xhami, kurse në Spanjë ishin regjistruar 546 sulme kundër myslimanëve. (European Islamophobia Report, SETA; 2017).
Huffington Post vë në dukje se në vendet e ndryshme të botës, sidomos në Perëndim, diskursi, retorika dhe politikat anti-muslimane nëpër institucionet, mediat dhe elitat e ndryshme politike janë bërë normale. Christchurch-i, por edhe sulmi terrorist i Anders B. Breivik-ut në Norvegji vite më parë, janë pasojë e gjithë kësaj!
Dijetari bashkëkohor mysliman Ziauddin Sardar konstaton se manifestimet aktuale të islamofobisë janë pak më shumë se një rishfaqje e fenomeneve historike anti-islame. Për të, “islamofobia dhe paragjykimi ndaj myslimanëve ka një kujtesë të gjatë dhe ende qëndron kaq thellë në vetëdijen historike [perëndimore].”
Brenton Tarrant, i cili terrorizoi njerëzit në dy xhami të Zelandës, u frymëzua nga ekstremistët e mbarë botës, të cilët përdorin platforma të ndryshme online për të globalizuar urrejtjen kundër emigrantëve dhe islamofobinë.
Ashtu sikurse dikur nëpër Evropë forma të ndryshme të diskriminimit dhe urrejtjes hasnin komunitetet hebrenj, duket se sot po e njëjta iu përsëritet komuniteteve muslimane! Islamofobia dhe antisemitizmi janë dy anë të së njëjtës medalje. Bota do të duhej që islamofobisë t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë ashtu siç iu përgjigj antisemitizmit pas Luftës së Dytë Botërore! Rritja e islamofobisë kërcënon paqen, stabilitetin dhe sigurinë globale e rajonale. Ajo është shndërruar në një kërcënim real për themelet e rendit demokratik dhe vlerat që promovohen sot nga Bashkimi Evropian.
Luftimi i islamofobisë në mënyrë institucionale, duke filluar nga rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e deri te parlamentet e shteteve, tanimë pas ndodhisë në Zelandën e Re është bërë sine qua non, detyrë e pashmangshme! Ideja e një nisme të tillë që e paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të ishte dhe është një hap i duhur në këtë drejtim!
Qytetarët dhe shteti në Zelandën e Re i dhanë leksion botës mbi bashkëjetesën. Terrori ua theu zemrat, por jo edhe unitetin. Dhe kjo u dëshmua duke filluar nga kryeministrja, mediat e gjer tek fëmijët që së bashku me mësimdhënëset e tyre vizitonin xhamitë në shenjë mbështetje për bashkëqytetarët e tyre muslimanë. Ata vërtetë i humbën 50 qytetarë, por i fituan zemrat e miliona njerëzve që e duan paqen dhe të mirën e njerëzimit!
(Marrë nga libri “Ndërkombëtarizimi i luftës civile”)




