Gjykata e Shkodrës liron tre punonjësit e ADZM Shkodër të cilët u arrestuan 4 ditë më parë

Gjykata e Shkodrës ka liruar nga arresti tre punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, të cilët u arrestuan katër ditë më parë për shpërdorim detyre.

ADZM Shkodër shkruan:

Njoftim për publikun!

Në bazë të një kontrolli të përbashkët, të ushtruar nga Policia e Shtetit dhe ISHMPUT Shkodër në Zonën e Mbrojtur PUTM Lumi Buna-Velipojë, u bë ndalimi i tre punonjësve të AdZM Shkodër ditën e hënë të kësaj jave.
Sot, me datë 19. 12. 2019 u zhvillua seanca gjyqësore pranë Gjyjatës së Rrethit Shkodër,për tre punonjësit tanë dhe gjyqi përfundoi duke e vlersuar “arrestimin të paligjshëm”.
AdZM Shkodër ka mbështetur që në fillim dhe vazhdon të mbështesë procesin për zbardhjen e ngjarjes me besimin e plotë tek pafajësia e specialistit dhe dy Rangers të Velipojës!

Skuadra e Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër i uron kolegëve Vesel Tusha dhe Refik Zagani punë të mbarë në vazhdim, ndërsa Palë Keqit i urojmë ta gëzojë pensionin!

NJOFTIMI I POLICISË DITËN E ARRESTIMIT:

Shkodër

Finalizohet operacioni “BREGDET I PASTER”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës dhe Administratën e Zonave të Mbrojtura.

Vihen në pranga 3 punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura për “Shpërdorim detyre”.

Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe 7 shtetas për “Pushtim toke”.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si edhe të shpërdorimit të detyrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në kuadër të operacionit policor “BREGDET I PASTER”, bënë ndalimin për veprën penale “Shpërdorim detyre”, të shtetasve:

• R. Z., 57 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë rojë mjedisore në Zonat e Mbrojtura.
• V. T., 56 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë specialist në Zonat e Mbrojtura.
• P. K., 65 vjeç, banues në Shkodër, me detyre rojë mjedisore në Zonat e Mbrojtura.

Po kështu janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pushtimit toke” shtetasit: Gj. P., 64 vjeç, E. L., 35 vjeç, L. K., 66 vjeç, Gj. M., 58 vjeç, Gj. L., 72 vjeç, M. K., 61 vjeç, dhe A. P., 47 vjeç, të gjithë banues në Shkodër;

Në zbatim të një plani masash të përbashkët mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura, në vijim edhe të operacionit mbarëkombëtar kundër informalitetit, janë ushtruar kontrolle në Zona të Mbrojtura në Qarkun Shkodër.

Si rezultat i kontrolleve ne Velipojë, janë konstatuar një sërë shkeljesh, si gërmime, shpyllëzime, rrethime me gardh me rrjete dhe me shtylla betoni etj.
Sektori i Monitorimit, ku bëjnë pjesë specialistët dhe rojet mjedisore, ka për detyrë parandalimin, zbulimin dhe luftimin e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretëtirëzimit a degradimit të natyrës, të pyjeve e të tokës pyjore, të cenimit nga ndërhyrjet e pakontrolluara ne mjedisin natyror e ujor të zonës së mbrojtur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.