
Shorti elektronik në GJKKO ka caktuar trupën gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.
Relatore e dosjes është Elsa Ulliri, ndërsa pjesë e trupës janë edhe Besmir Stroka dhe Irena Gjoka.
Në këtë proces, bashkë me Becin janë marrë të pandehur edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tij. E njëjta trupë gjykuese do të shqyrtojë edhe kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar, e paraqitur në seancën e fundit.
Sipas SPAK, Beci dyshohet se ka shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me vlerë 96.5 milionë lekë.
Hetimet kanë nisur pas referimit të akteve nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), pas sekuestrimit të celularëve në banesën e Evis Berberit.




