
Pas 29 ditësh kërkimesh, është gjetur trupi i pajetë i Jurgen Karajt, 30 vjeç, banor i fshatit Fullqet të Klosit, i cili ishte zhdukur pas një aksidenti. Trupi u lokalizua rreth 30 kilometra larg vendit ku dyshohet se kishte ndodhur ngjarja.
Në operacionin e kërkimit ka qenë e angazhuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila reagoi zyrtarisht lidhur me gjetjen e trupit të të riut. Sipas njoftimit, trupi i pajetë u lokalizua nga ekipet e FSK-së pas një angazhimi intensiv dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare.
Me kërkesë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, FSK kishte angazhuar një kontingjent të specializuar kërkim-shpëtimi nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit, përgjatë rrjedhës së lumit Mat.
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Ai ka falënderuar gjithashtu personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni humanitar.
Forca e Sigurisë së Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.









