Gati korona-pasaporta turistike, OBSh-ja dhe disa ekspertë kundër

Europianët mund të pajisen së shpejti me një dokument shëndetësor udhëtimi për brenda BE-së, të cilin ministrat e Turizmit të vendeve anëtare e quajtën korona-pasaportë. Ky dokument do të bazohet mbi testimet aerologjike, por si OBSh-ja ashtu dhe shumë ekspertë janë shprehur kundër.

Europianët mund t’i kthehen turizmit pasi të jenë pajisur me një dokument sigurie shëndetësore, për të cilin ministrat e Turizmit të shteteve anëtare të BE-së ranë dakord të martën. Dokumenti do të jetë i vlefshëm brenda bllokut. Ministri i Turizmit i Kroacisë, Gari Kapel tha se dokumenti, të cilin ai e quajti korona-pasaportë, i referohet pjesës së shëndetit dhe sigurisë së protokollit të udhëtimit.

Sipas medieve kroate, Kapel tha se ministrat ranë dakord për një plan të përbashkët për menaxhimin e krizave, pavarësisht situatave individuale në vendet europiane.

“Turizmi përbën 10 deri në 11 për qind të GDP-së së Bashkimit Europian dhe punëson 12 për qind të forcës së punës. Është kyç për nxitjen dhe shpëtimin e ekonomive kombëtare,” tha Kapel, duke cituar shembuj nga Italia, Spanja dhe Greqia, megjithatë një vendim përfundimtar për sezonin turistik këtë vit do të merret në fund të majit.

Një propozim për zhvillimin e testeve aerologjike dhe evidentimin e atyre që e kanë kaluar Covid-19 dhe kanë zhvilluar anti-trupa, u bë edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel, por Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa ekspertë u shprehën kundër. Edhe kreu i Institutit Robert Koch për kontrollin e sëmundjeve, Lothar Wieler, ngriti shqetësimin e pasaktësisë së testeve.

“Shumë teste në treg nuk janë plotësisht të sakta dhe kjo nuk është e mirë kur dhjetë vetë që kanë zhvilluar antitrupa kundër virusit nga testet njihen vetëm shtatë si pozitive. Kjo normë saktësie prej 70% nuk është pozitive.”

Qeveritë e ndryshme në Europë janë vendosur në presion nga biznesi për të lehtësuar masat dhe janë duke gjetur rrugë të mundshme për të hequr gradualisht masat kufizuese.