ga 15 qershori nisin fluturimet me Greqinë, protokolle sigurie kundër COVID-19

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informon qytetarët se, duke filluar nga data 15 qershor 2020 do të rinisin fluturimet e rregullta Tiranë-Athinë dhe Athinë-Tiranë.

Vendimi i Qeverive të të dy vendeve për të rinisur fluturimet e rregullta parashikon edhe zbatimin protokolleve të rrepta të sigurisë kundër COVID-19, të miratuara nga autoritetet e Shëndetit Publik.

Njohja paraprake me këto protokolle dhe zbatimi me përpikëri i tyre nga të gjithë pasagjerët, jo vetëm do të rrisë sigurinë, duke frenuar përhapjen e infeksionit COVID-19, por njëkohësisht do të lehtësojë ndjeshëm të gjithë procedurat që do të ndiqen në aeroportet respektive.

Qeveria Shqiptare është në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e shteteve europiane, për të avancuar me procesin e hapjes së aeroporteve nga ana e tyre dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të njoftojë në vijimësi për çdo vendim që lidhet me rinisjen e fluturimeve.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që përpara çdo udhëtimi jashtë vendit të mirë informohen lidhur me protokollet e sigurisë, të hartuara nga vendet ku ata do të udhëtojë dhe që janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë udhëtarët”, thuhet ne deklaratën e Ministrisë.

Austrian Airlines është kompania e parë që ka njoftuar zyrtarisht fillimin e fluturimeve nga Rinasi drejt Vjenës dhe anasjelltas për qëllime tregtare.

Austrian, pas 90 ditësh ndërprerjeje, do të fillojë fluturimet në 15 qershor në Amsterdam, Athinë, Bazel, Berlin, Bruksel, Bukuresht, Dubrovnik, Dyseldorf, Frankfurt, Gjenevë, Hamburg, Kopenhagën, Larnaca, Londër, Mynih, Paris, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Sofje, Stokholm, Shtutgart, Tel Aviv, Selanik, Tirana, Varna dhe Zyrih.

Fluturimet do të jenë të reduktuara në krahasim me periudhën e parakrizës. Fillimisht do të ketë 4 fluturime në javë – ka njoftuar “Tirana International Airport“ .

Fluturimet ajrore në Europë janë duke u rikthyer me  hapa të ngadaltë dhe nën masa të rrepta të sigurisë anti-COVID.