Erdogan live nga Turqia në Laç: 42 mln Euro për vëllezërit tanë shqiptarë

Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan nuk ishte vetë prezent, por kishte një mesazh urimi gjatë ceremonisë që u zhvillua në Laç për rindërtimin. Gjatë një lidhjeje live, Presidenti turk tha se Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan.

“Me rastin e kësaj ceremonie ndjej një kënaqësi të madhe që jam me ju dhe nëpërmjet jush përshëndes gjithë Shqipërinë dhe vëllezërit shqiptarë. Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin e popullit shqiptar si pikëllimin tonë”, tha Erdogan.

Erdogan u shpreh se pas tërmetit të 21 Shtatorit dhe atij të 26 Nëntorit, Turqia ka mobilizuar menjëherë mundësitë e saj. Nga memorandumi i nënshkruar në Korrik të këtij viti është vendosur që qeveria turke të ndërtojë mbi 500 banesa. Erdogan bëri të ditur shifrën e këtij projekti dhe tha se do të kushtojë rreth 42 milionë euro.

“Pas tërmeteve që ndodhën në Shqipëri më 21 Shtator dhe 26 Nëntor, i mobilizuam menjëherë mundësitë tona. Pas tërmetit të Shtatorit, ne kemi dërgua 4 maune me ndihma humanitare. Po ashtu, pas katastrofës së tërmetit në Nëntor, krahas ndihmave të tjera ne morën vendimin të ndërtojmë shtëpi për vëllezërit tanë shqiptarë. Pavarësisht pandemisë në Korrik nënshkruam protokollin e memorandumit dhe filluam punimet. Ndërsa sot po realizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa që do të shndërrohen në një strehë të ngrohtë për të gjithë vëllezërit tanë shqiptarë. Shpresoj që ky projekt që përfshin 522 banesa dhe që do të kushtojë afërsisht 42 milion euro të jetë i dobishëm”, tha Erdogan.

Më tej Erdogan shtoi se, “këto shtëpi do të shërbejnë si një shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri. Shpresojmë që fazën e parë ta përfundojmë sa më shpejt, që t’ua dorëzojmë sa më shpejt vëllezërve tanë që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti”.

Presidenti turk shprehu edhe njëherë ngushëllime për familjet që humbën të afërmit e tyre në tërmetin e Nëntorit. Gjithashtu Erdogan falenderoi Kryeministrin Edi Rama, ndërsa tha se shpreson që të sigurojë se të prekurit nga tërmeti të kenë një jetë më të qetë dhe të sigurt.

“Me këtë rast, edhe njëherë për vëllezërit tanë shqiptarë që humbën jetën nga tërmeti shpresoj në mëshirën e Zotit për to, familjarëve dhe të afërmeve të tyre që u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. E lus Zotin që ta na mbrojë nga të gjitha llojet e fatkeqësive dhe katastrofave natyrore dhe nga sëmundjet ngjitëse dhe epidemike. Po ashtu, zotin Rama e përshëndes. E ndoqa fjalën që mbajti Kryeministri Edi Rama dhe personalisht dua ta falenderoj për kontributin që ka dhënë dhe kam bindjen që brenda një kohe sa më të shkurtër këto pasoja të fatkeqësisë do t’i kalojmë sa më shpejt. Të prekurit nga tërmeti do të sigurojmë që të bëjnë një jetë më të qetë, më të sigurt. Me këto ndjenja edhe njëherë uroj që shtëpitë e ndërtuara nga vendi im për banorët e Laçit dhe vëllezërit tanë shqiptarë të jetë të dobishme dhe të hajrit. Uroj që në këto shtëpi të jetoni në paqe dhe shëndet, për një jetë të tërë së bashku me familjet dhe të gjithë të dashurit tuaj. Duke ju uruar edhe vitin e ri që po afron, edhe njëherë dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe miqësisht. Ju uroj shëndet”, tha Presidenti i Turqisë.

Ndërkohë më herët edhe kryeministri Edi Rama përshëndeti Presidentin turk, Erdogan dhe e falenderoi atë për solidaritetin e treguar pas fatkeqësisë së Shqipërisë.

Në zonën e Laçit ku është përqendruar projekti turk i rindërtimit, përveç apartamenteve, do të ndërtohen edhe 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare dhe njësi shërbimi.