
Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, kërkoi falje publike familjes së viktimës. Ai tha se ngjarja ndodhi si pasojë e një tronditjeje psikike të shkaktuar nga proceset gjyqësore të gjata dhe mungesa e zgjidhjes nga institucionet. Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e arrestit me burg.
Shkambi akuzohet për “Vrasje të funksionarëve publikë” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë. Edhe ndaj xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, ka nisur procedimi penal për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, pasi dyshohet se ka nxitur nipin të qëllojë edhe mbi Rakip dhe Elvis Kurtajn, palë kundërshtare në procesin gjyqësor.



