Ekonomia Shqiptare në karantinë, humbjet mund t’i kalojnë 25 mln euro në ditë

Bizneset shqiptare kishin të ardhura rreth 22 trilionë lekë (rreth 18 miliardë euro) për vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Mesatarisht qarkullimi ditor i 107 mijë subjekteve, që veprojnë në vend, në fushën e tregtisë, të shërbimeve, transportit, industrisë, ndërtimit, energjisë, telekomunikacioneve e të tjerave është rreth 50 milionë euro. (44% e këtyre të ardhurave sigurohen nga aktivitetet e tregtisë me shumicë e pakicë, 12% nga ndërtimi, 8.5% nga shërbimet, rreth 3% nga akomodimi e shërbimet ushqimore etj).

Por, ekonomia ka hyrë në një territor të paeksploruar për shkak të paralizimit të pothuajse të gjitha aktiviteteve
në vend, me synim frenimin e përhapjes së koronavirusit, që nuk dihet sa do të zgjasë.

Shumë biznese janë mbyllur (sidomos bare e restorante), të tjerat po punojnë me kapacitete minimale, konsumatorët kanë frenuar konsumin, përveç blerjeve të domosdoshme. Ndërmarrjet eksportuese, pasi u goditën nga Italia (partneri ynë tregtar) tashmë kanë probleme me vazhdimin e prodhimit për shkak të mosardhjes në punë të punonjësve.

Pjesa më e madhe e bizneseve raportojnë rënie të aktivitetit me 70%, ose dhe mbyllje të përkohshme. Ndonëse është shumë shpejt të bëhet një bilanc, nëse marrim në konsideratë një reduktim prej 50% të aktivitetit ekonomik në vend, kjo do të sillte të ardhura të munguara prej të paktën 25 milionë eurosh në ditë, shkruan Monitor.