Dua Lipa ndahet nga agjenti pro-Izrael pas polemikës së fundit…

Shpërndaje

Dua Lipa ka ndërprerë bashkëpunimin me agjentin e saj, David Levy, pas debatit që shpërtheu rreth grupit irlandez “Kneecap”. Sipas “The Mail on Sunday”, Levy ishte një nga të parët që firmosi një letër drejtuar organizatorëve të festivalit Glastonbury, Michael dhe Emily Eavis, ku kërkohej ndalimi i performancës së grupit, me argumentin se promovonte antisemitizmin dhe kishte simpati për organizata si Hezbollah.

Letra, e cila ishte shënuar si “private dhe konfidenciale”, u publikua në media dhe shkaktoi jehonë të madhe në industrinë e muzikës. Burime pranë këngëtares kanë bërë të ditur se Lipa, përmes stafit të saj, ka kërkuar që Levy të mos merret më me projektet e saj muzikore, duke qenë se qëndrimet e tij bien ndesh me pozicionin e saj pro-Palestinës. Sipas saj, Levy shihet si mbështetës i politikave izraelite në Gaza dhe trajtimit të palestinezëve.

Megjithëse këngëtarja vijon të mbetet pjesë e agjencisë William Morris Endeavor, tashmë ajo përfaqësohet nga një agjent tjetër brenda kompanisë.

Artistja shqiptare, 30-vjeçare dhe e fejuar me aktorin Callum Turner, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për kauzën palestineze. Në maj 2024, ajo e cilësoi ofensivën izraelite në Gaza si “gjenocid”, duke iu bashkuar thirrjeve të artistëve që kritikonin përfshirjen britanike në konflikt. Megjithatë, Lipa ka theksuar edhe qëndrimin e saj kundër Hamasit, duke shprehur keqardhje për viktimat izraelite dhe ngjarjet e 7 tetorit.

Shpërndaje