Drejtues të BigMarket vinë në Shkodër, takohen me Elsen: “keqkuptim fatkeq për të dyja palët”…

Sot ishim në Shkodër, ku patëm kënaqësinë të takojmë Elsa Llushën dhe mamanë e saj të mrekullueshme, në shoqërinë e aktorëve të mrekullueshëm që kanë ndjekur në mënyrë konstruktive rastin “Elsa” si, juristë, deputetë, aktorë të shoqerisë civile dhe klerikë të njohur.
Në këtë takim patëm mundësi të sheshojmë çdo paqartësi në lidhje me situatën e krijuar orët e fundit, ku shumë nga deklaratat u keqinterpretuan dhe qëndrimet e Big Market u keqpërdorën, duke krijuar kështu edhe një atmosferë të pashëndetshme rreth besimit fetar dhe të drejtat që stafi realisht gëzon, në të gjitha pikat Big Market kudo në Shqipëri.
Pas bisedës së hapur dhe të sinqertë, u dakordësua që rasti i Elsës ishte një keqkuptim lokal dhe ajo ka përherë dyert e hapura për të punuar në Big Market, me meritë dhe liri të plotë për të ushtruar të drejtat e saj si besimtare dhe si punonjëse.

Përfaqësues të lartë të kompanisë, pasi shtrënguan duart e bashkëpunimit dhe përzemërsisë me Elsën, dhe të gjithë të pranishmit, premtuan promovim në shkallët më të larta profesionale për Elsën, duke i lënë asaj hapsirë të zgjedhë çfarëdo që ajo dëshiron si pozicion professional.

Duke e quajtur ngjarjen një keqkuptim fatkeq për të dyja palët, ata u shprehën se, biznesi shqiptar është sot mjaftueshëm i emancipuar për të mos abuzuar me parimet e barazisë dhe përfshirjes, konform standarteve ndërkombëtare të zhvillimit të qendrueshëm afatgjatë dhe se, janë krenarë të shërbejnë si modeli i cili transmeton qendrimin, bashkëpunimin dhe reagimin professional por mbi të gjitha njerëzor në funksion të konkretizimit të harmonisë fetare në përditshmërinë e punës së tyre.

Për ne si World Hijab Albania, hartimi i kuadrit ligjor që mbron parimet e barazisë, diversitetin dhe përfshirjen ështe i domosdoshëm.
“Angazhimi ynë në mbrojtje të vajzave dhe grave me identitet fetar të lexueshem është i pandërprerë dhe ligji është përgjigja më e mirë në parandalimin e rasteve të ngjashme” .

Rasti Elsa krijoi një reagim publik, i cili u bë viral dhe risolli në vëmendje debatin mbi islamofobinë i cili është bërë gjithnjë e më shumë një temë e ndjeshme në Shqipëri, ku bashkëjetesa fetare spikat si virtyti kolektiv më i larte i vendit.

Falenderim i veçantë shkon për z.Vullnet Sinaj, i cili tregoi gadishmëri të plotë dhe vullnet jo vetëm për të korigjuar rastin e Elsës por edhe për të ofruar modelin e biznesit shqiptar i cili diskriminimin me bazë fetare, e sheh si antivlerë dhe antinjerëzore.

Pas këtij reagimi konstruktiv publik, nga ana e kompanisë Big Market, bëmë të mundur tërheqjen e ankimimit të rastit të Elsa Llushës nga Komisioneri Kundër Diskriminimit, si dhe anullimin e Peticionit për Bojkotimin e Blerjeve në Big Market.

Falenderim i përzemërt për të gjitha motrat dhe të gjithë qytetarët të cilët u solidarizuan me rastin në fjalë dh ebënë të mundur këtë reagim të frytshëm për të gjithë.
Pa mbështetjen tuaj forca jonë nuk do të ishte njësoj.

Zoti ju shpërbleftë të gjithëve!

Sinqerisht stafi i WHD Albania.