
Shkodra u trondit mëngjesin e sotëm nga një atentat mafioz i kryer në qendër të qytetit, vetëm pak metra larg bashkisë. Rreth orës 08:35, lokali ku ishte ulur Erogen Brajoviq (Vaso) u kthye në skenë lufte.
Nga breshëria e plumbave humbën jetën Armando Pali, 51 vjeç, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak me siglën e PBDNJ-së, dhe Liridon Lushi, 31 vjeç, shoferi i Brajoviq. Ky i fundit u plagos rëndë nga tre plumba, ndërsa kamerierja Meri Kaceri, 25 vjeç, mbeti e plagosur lehtë.
Autori i dyshuar, Ragip Gila, 29 vjeç, mbërriti me një motor të zi, të cilin e la të ndezur para lokalit. I veshur me antiplumb dhe i armatosur me një pistoletë dhe një automatik “scorpions”, hyri brenda dhe qëlloi pa mëshirë. Në ikje, braktisi motorin, grabiti një makinë tip “BMW” gri dhe u përplas me dy automjete gjatë arratisjes.
Pasi braktisi makinën pranë shinave të trenit në lagjen “Skënderbeg”, tentoi të kalonte lumin Kir në këmbë. Në atë moment, forcat “Shqiponja” dhe policia e rendit i zunë pritë dhe e shtrinë përtokë, duke e arrestuar në flagrancë.
Gila nuk është emër i panjohur për drejtësinë: në dhjetor 2023 u kap me arsenal armësh, por më 4 mars 2025 u lirua me vendim të gjyqtarit Albert Keraj, i cili e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg, duke i dhënë kusht që të mos kryente vepra të tjera për 5 vite. Sot ai rikthehet në qendër të vëmendjes si ekzekutor i dyshuar me pagesë.
Hetimet vijojnë, ndërsa dyshohet se shënjestra e atentatit ishte Brajoviq pasi vellai i tij Denis Brajoviq është akuzuar për vrasjen e Gjin (Boriçi) Ndoj në vitin 2020.




