
Rasti më i fundit lidhet me tregtarët dhe banorët e Zdrales në Shkodër. Të pyetur për ndikimin e bllokimit të rrugës, pothuajse të gjithë shprehen se po penalizohen rëndë dhe se situata po u dëmton ndjeshëm aktivitetin dhe jetën e përditshme.
Por kur vjen momenti që zëri i tyre të bëhet publik, kur u kërkohet të flasin para kamerës apo të identifikohen në media, fillon tërheqja. Arsyeja është pothuajse gjithmonë e njëjtë: frika. Frika se mos penalizohen nga institucionet, frika se mos u krijohen probleme me biznesin, me vendin e punës apo me familjen.
Këto situata i hasim shpesh. Dikush heziton sepse ka një biznes për të mbajtur. Një tjetër sepse punon në administratë. Dikush tjetër sepse ka fëmijët e punësuar në sektorin publik.
Dhe kështu, pak nga pak, e vërteta mbetet në heshtje. Problemet diskutohen në biseda private, por rrallë marrin guximin të dalin hapur.
Pyetja që mbetet është e thjeshtë: deri kur do të vazhdojmë të kemi frikë të flasim?/RealitetiPost




