COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja, shkon në 1164 numri i të prekurve

891 të shëruar që nga fillimi i epidemisë. 240 raste aktive në të gjithë vendin

Dr. Rovena Daja
Instituti i Shëndetit Publik

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri.
Kanë vazhduar testimet dhe puna intensive në Laboratorin e Virologjisë në ISHP për të dyshuar të prekur me Covid19.

Në 24 orët e fundit janë kryer 243 testime në nga të cilat janë konfirmuar 21 raste pozitive, përkatësisht janë 14 në Tiranë, 3 raste në Krujë, ndërsa në Durrës, Shkodër, Kamëz, Mallakastër kemi nga një rast të prekur me Covid19.

Janë testuar 45 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 6 raste.

Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte te zbuluara nga hetimi i kryer dhe disa raste të reja për të cilat po vijon te kryhet hetimi epidemiologjik.

Aktualisht po trajtohen 27 të prekur në spitalin infektiv, nga të cilët 4 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.
Nje pacient 62-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv.

Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçari ishte bartës asimptomatik i COVID19 dhe vuante nga ciroze hepatike, spok, insuficiencë e rendë kardiake, diabet, hipertension. Shkaku i humbjes së jetëë, sipas shërbimit infektiv, nuk është COVID19, por nga ciroza hepatike e stadit të fundit.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 14 qytetarë, duke e çuar në 891 numrin e të shëruarve.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1164 raste. Aktualisht janë 240 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.