Burg përjetë kopshtarit të resortit ku u vra dhe u zhduk Jan Prenga…

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar, GJKKO ka dënuar me burg përjetë Festim Bexhdilin, kopshtarin e resortit ku u zhduk Jan Prenga.

Ai nuk ka pranuar akuzat në sallën e gjyqit, por Prokuroria e Posaçme e akuzon atë si bashkëpunëtor në vrasje.

Prokurorja Elida Kackini deklaroi se Bexhdili nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, po nga pamjet filmike dhe antenat celulare është vërtetuar se ai ka shkuar në kompleksin “Golden” në Shijak disa minuta pasi është dërguar i rrëmbyeri (Jan Prenga).

Sipas prokurores kopshtari është marrë me pastrimin e vendit si dhe të nesërmen është larguar me një furgon dhe shfaqet me kazmë dhe lopatë.

Dyshohet se Festim Bexhdili e di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga.

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës dyshohet se u porosit nga jashtë Shqipërisë për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine në portin e Portsmuthit.