Britania merr masa për të ulur nivelin e obezitetit, më të rrezikuar nga COVID-19 janë ata mbipeshë

Britania e Madhe ka nisur të marrë masa për të ulur nivelin e obezitetit tek qytetarët e saj, një problem që i kushton sistemit shëndetësor në vend mbi 6.7 miliardë paund në vit.

Sipas të dhënave zyrtare, 63% e të rriturve në Angli janë mbipeshë ose obezë si dhe 1 në 3 fëmijë që largohen nga shkolla fillore.

Një problem të tillë autoritetet britanike e kanë cilësuar një bombë me sahat, e cila mund të shpërthejë gjatë krizës së pandemisë ku Britania është edhe një nga vendet më të prekura me mbi 45000 viktima.

Të dhënat e prezantuara nga drejtori i programit të testimit COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar treguan se rreziku i vdekjes nga virusi rritet me 40% në 50% tek njerëzit që janë obezë apo në mbipeshë.

Të dhënat gjithashtu dëshmuan se 8% e pacientëve në kujdes intensiv me COVID-19 ishin në mbipeshë.

Paketa e shpallur nga qeveria britanike përfshin një sërë masash për t’i ndihmuar njerëzit të jenë më të vetëdijshëm për zgjedhjet e tyre të ushqimit dhe pijeve, si dhe për të inkurajuar stilin e jetës më të shëndetshme.

“Reklamat në internet dhe TV për ushqime me nivele të larta me yndyrë, sheqer dhe kripë do të ndalohen para orës 21, kur fëmijët ka shumë të ngjarë t’i shohin”, bën me dije qeveria britanike. Restorantet, kafenetë me më shumë se 250 punonjës do t’u kërkohet të shtojnë etiketat e kalorive në ushqimin që ata shesin.

Alkooli gjithashtu do t’i nënshtrohet etiketimit të kalorive. Kryeministri Boris Johnson ka pranuar se “humbja e peshës është e vështirë”, por inkurajoi qytetarët të bëjnë përpjekjen e tyre “për të zvogëluar rreziqet shëndetësore dhe për t’u mbrojtur nga coronavirusi”. Sekretari i Shëndetësisë , Matt Hancock tha që këto janë masa “të guximshme” për “t’u dhënë njerëzve informacionin e duhur” për ushqimin që ata janë duke konsumuar dhe për t’i ndihmuar ata “të marrin vendime të mira”