Armëpushimi në Gaza “vetëm në letër”, Izraeli e ka shkelur rreth 500 herë në 44 ditë…

Shpërndaje

Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës bëri të ditur se Izraeli ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja plot 497 herë gjatë 44 ditëve, që prej hyrjes në fuqi më 10 tetor. Sipas tyre, qindra palestinezë kanë humbur jetën, shumica fëmijë, gra dhe të moshuar.

Në total, 342 civilë janë vrarë, ndërsa vetëm të shtunën e kaluar janë regjistruar 24 të vdekur dhe 87 të plagosur nga 27 sulme ajrore. Autoritetet në Gaza theksojnë se këto veprime përbëjnë një shkelje të vazhdueshme dhe të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të protokollit të lidhur me armëpushimin.

Pala palestineze akuzon gjithashtu Izraelin për pengimin e ndihmave ushqimore dhe mjekësore, duke rënduar edhe më tej krizën humanitare. Më 10 nëntor, një seri sulmesh ajrore shkaktuan vdekjen e 24 palestinezëve, përfshirë fëmijë.

Nga ana tjetër, autoritetet izraelite deklarojnë se operacionet ushtarake kanë ardhur si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të Hamasit ndaj trupave izraelite brenda të ashtuquajturës “linja e verdhë”. Izraeli njofton se gjatë këtyre veprimeve janë eliminuar pesë komandantë të lartë të Hamasit.

Hamas e akuzon Izraelin për përdorimin e justifikimeve të rreme për të shkelur armëpushimin dhe kërkon ndërhyrjen e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit për të garantuar zbatimin e marrëveshjes. Nga terreni raportohet se armëpushimi është vetëm “formal”, pasi sulmet ajrore vazhdojnë dhe trupat izraelite janë futur edhe më thellë në territor, duke rritur pasigurinë mes popullsisë civile.

Shpërndaje