Andrea Nathanaili: Nëse doni të mbyllni një institucion që nuk justifikon taksat e shqiptarëve, filloni me Kuvendin!…

Shpërndaje

Profesori dhe një ndër ish-drejtuesit e lartë të RTSH, Andrea Nathanaili ka bërë një koment publik në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama, për mbylljen e transmetuesit publik. Ai thotë se aktorët që po kërkojnë mbylljen, janë pikërisht ata që kanë formuar si profesionistë në RTSH.

“Edhe në kohën e pushtimit fashist kishte një radio qē i drejtohej publikut “Ju flet Radio Tirana”! Ajo lindi në 28 Nëntor 1938. Sot, pas afro 90 vjetësh… duan ta mbyllin, ta mbyllin bashkë me Televizionin! 

U mbyll, u shkatërrua, u fal Kinostudio “Shqipëria e Re”, u shemb Teatri Popullor…dhe i erdhi radha RTSH-sê. Një institucion që është forcuar nga dita në ditë për të qenë zëri dhe instrumenti i një shoqërie demokratike, nuk mund të mbyllet”, shkruan ai.

Lidhur me pretendimet se transmetuesi publik mbahet me taksat e shqiptarëve dhe nuk ofron asgjë mbrapsht, Andrea Nathanaili si ish-drejtor i Programacionit në RTSH, shkruan se nëse ka një institucion që duhet të mbyllet sepse nuk justifikon taksat e popullit, ai është Kuvendi.

“Doni të mbyllni nje institucion qe nuk justifikon leket e taskapaguesve shqiptarë? Filloni me Kuvendin, që përveç performancês dhe mëkateve të tjera, ka përgjegjësi kryesore në zgjedhjen e organeve drejtuese të RTSH!

Pse funksionin RAI? Pse funksionojnë transmetuesit publikë në gjithë Europën? Si mund të hyhet në Europë, pa qenë pjesë e Bashkimit të Transmetuesve Publikë Europianê? Kush i frymëzon këto politika tek politikë-bërësit tanë?”, pyet profesori.

Sipas Andrea Nathanailit, personat që “po lëvizin fijet” pas atyre që po propozojnë mbylljen e RTSH, janë pikërisht ata drejtues apo regjisorë që janë formuar në transmetuesin publik dhe aktualisht drejtojnë televizionet private.

“Janë po ata që kanë kontribuar në dështimin me sukses të RTSH! Mos kërkoni alibi tek punonjësit dhe drejtuesit aktualë! RTSH ka qenë dhe vazhdon të jetë “furnizuesi” kryesor me regjisorë, krijues e drejtues për të gjithë transmetuesit privatë, në vite! I doni me emra? Janë të gjithë në historikun e RTSh-së, në Arkivin e saj”, përmbyll profesori dhe një ndër ish-drejtuesit e lartë të RTSH, Andrea Nathanaili.

Shpërndaje