Alarm në shëndetësinë shqiptare: mungesa e gjakut në spitale po rrezikon jetët…

Shpërndaje

Ngjarja e rëndë e 27-vjeçares, për të cilën u bë thirrje urgjente për dhurim gjaku dhe që fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë, është një tjetër kujtesë e dhimbshme për boshllëqet serioze në sistemin shëndetësor. Në një moment ku çdo minutë mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes, mungesa e organizimit dhe e rezervave të gjakut del në pah në mënyrën më të ashpër të mundshme.

Raste si ky nuk janë më thjesht tragjedi të izoluara, por pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi shëndetësor që prej vitesh vuan nga mungesa serioze dhe keqmenaxhimi. Mungesa e rezervave të gjakut në spitale është një alarm i fortë që nuk mund të justifikohet më.Nuk është normale që, në çdo emergjencë, qytetarët të detyrohen të kërkojnë ndihmë në rrjete sociale për të shpëtuar jetë. Një shtet funksional duhet të garantojë banka gjaku të qëndrueshme dhe të gatshme në çdo moment. Kur kjo nuk ndodh, përgjegjësia nuk është e qytetarëve, por e institucioneve.Edhe më shqetësuese është fakti që shpesh familjarëve u kërkohet të sigurojnë vetë dhurues gjaku përpara një operacioni. Kjo praktikë nuk duhet të ekzistojë në një sistem publik që pretendon të ofrojë shërbim bazë shëndetësor. Është një barrë e padrejtë që u hidhet njerëzve në momentet më të vështira.Por problemi nuk ndalet vetëm te menaxhimi. Politikat ndër vite kanë lënë në hije shëndetësinë publike, duke krijuar hapësirë që sektori privat të fuqizohet gjithnjë e më shumë. Kur investimet dhe vëmendja zhvendosen nga publiku tek privati, pasoja i paguan qytetari i zakonshëm, sidomos në raste emergjente ku koha dhe resurset janë jetike.Dhurimi i gjakut duhet të jetë i organizuar, i vazhdueshëm dhe i mbështetur nga shteti, jo një reagim i detyruar në momente krize. Kur çdo rast kthehet në apel urgjent, kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me një dështim të sistemit.Kjo situatë kërkon jo vetëm reagim, por përgjegjësi konkrete dhe ndryshim real, sepse shëndeti publik nuk mund të lihet në mëshirë të fatit apo interesave të tjera./RealiteriPost

Shpërndaje