
Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, në aksin Gjirokastër–Tepelenë, ka sjellë pasoja tragjike me humbje jetësh njerëzore.
Mes viktimave është edhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, i cili humbi jetën si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Ai ishte djali i shefit të policisë Rami Ruçi dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi nga përplasja e një automjeti tip “Volkswagen”, ku udhëtonin Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, të cilët fatkeqësisht ndërruan jetë si pasojë e plagëve të rënda, me një mjet tjetër tip “Mercedes Benz”. Në këtë automjet ndodheshin Martin Dulaj, 25 vjeç, i cili humbi jetën në vendngjarje, si dhe Arsida Demiri, 19 vjeçe, e cila u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ngjarja ka kthyer festën e Vitit të Ri në zi, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit.




