Ademi kërkon kontroll më të fortë në plazhe dhe tregon çfarë ka ndryshuar në Shkodër me Lamallarin

Mosmenaxhimi i situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit i kushtoi postin prefektit të Shkodrës, Çesk Millja.

Detyra për të koordinuar punën në këtë qark i është besuar zv.ministrit të brendshëm Besfort Lamallari prej 11 prillit.

Por kur ka kaluar një javë, kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi për Rtv Ora thotë se e vetmja gjë që ka ndryshuar në Shkodër është shtimi i patrullave të policisë.

Ademi: Ajo që ka ndryshuar është angazhimi më i madh i policisë së shtetit në respektimin urdhrave dhe udhëzimeve. Nëse kemi pasur 2-3 postoblloqe policie tani ka një numër më të shtuar. Është një mobilizim i Ministrisë së Brendshme për tu angazhuar. Masat janë ato që ka vendosur qeveria, bashkia ka propozuar disa masa shtesë për diferencimin në tregje.

Kryebashkiakja nënvizoi se duhet një kontroll më i fortë në plazhe dhe për këtë bashkia ka përgatitur disa propozime.

Ademi: Të hënën do të dërgojmë disa kërkesa të tjera për masa shtesë që lidhen me kontrollin në plazhe. Kam vërejtur ditët e fundit që në plazhet e Shkodrës njerëzit kanë filluar të përgatiten për sezonin turistik.Do të duhet të kontrollen me rigorizitet mjetet e punës.