
Një denoncim i ardhur në redaksinë tonë nga një qytetar ka nxjerrë në pah një rast shqetësues: në një lokal në sheshin “Isa Boletini” që operon në pronë vakëf të Myftinisë Shkodër vijon të shitet alkool, në kundërshtim të hapur me parimet bazë të Islamit.
Pas verifikimeve, kontaktuam me administratorin e Myftinisë, Saimir Dritareti, i cili jo vetëm që e konfirmoi rastin, por pranoi se institucioni ka qenë në dijeni prej kohësh. Justifikimi i dhënë ishte edhe më i rëndë: sipas tij, qiramarrësi është i moshuar dhe “nuk kanë dashur t’ia prishin qejfin”. Një arsyetim i tillë jo vetëm që është i papranueshëm, por tregon një mungesë serioze përgjegjëshmërie në administrimin e pronave që i përkasin komunitetit musliman.
Vakëfi nuk është pronë private, por amanet i besimtarëve dhe duhet të administrohet në përputhje të plotë me normat islame. Lejimi i shitjes së alkoolit në këto ambiente nuk është thjesht një shkelje administrative, por një devijim i qartë nga misioni fetar që këto institucione pretendojnë të mbrojnë.
Duhet theksuar se kjo nuk është hera e parë që ngrihen shqetësime mbi mënyrën e administrimit të pronave vakëf. Ndër vite, ka pasur vazhdimisht ankesa dhe dyshime nga qytetarë dhe besimtarë për menaxhim jo transparent, dhënie me qira të diskutueshme dhe mungesë kontrolli mbi aktivitetet që zhvillohen në këto prona. Ky rast vetëm sa e përforcon perceptimin se problemet janë të përsëritura dhe jo raste të izoluara.
Edhe pse nga ana e administratorit u premtua ndërhyrje dhe zgjidhje, ka kaluar më shumë se një muaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Lokali vazhdon aktivitetin normalisht, duke shitur çdo ditë alkool, ndërsa sipas banorëve të zonës, situata ka sjellë edhe shqetësime për komunitetin përreth.
Kjo heshtje dhe mosveprim i Myftinisë Shkodër ngre dyshime serioze: a kemi të bëjmë me paaftësi për të menaxhuar pronat vakëf, apo me tolerim të qëllimshëm të një shkeljeje kaq të hapur?
Akoma më paradoksale bëhet situata kur Myftiu, Muhamed Sytari del publikisht dhe dënon fenomene si festat e birrës në qytet, ndërkohë që në pronat që administrohen nga vetë institucioni që ai drejton, lejohet pikërisht ajo që ai kritikon.
Në këtë pikë, nuk mjaftojnë më justifikimet apo premtimet boshe. Komuniteti musliman ka të drejtë të dijë: kush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe pse vazhdon të tolerohet një abuzim kaq i qartë me vakëfin?/RealitetiPost




