Ministria e Shëndetësisë, drejtuar nga ministrja Ogerta Manastirliu ka lëshuar një urdhër, për vetë-karantinim të të gjithë atyre personave që riatdhesohen në vendin tonë gjatë periudhës së koronavirusit.
MSH thotë se për të mbrojtur shëndetin e popullatës, ka nxjerrë disa udhëzime për ata shtetas shqiptarë, që do të riatdhesohen në Shqipëri gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19.
Ministria thotë në urdhër se të gjithë shqiptarët që riatdhesohen në Republikën e Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë të shkaktuar nga Covid-19 dhe janë me banim në një nga zonat e kuqe, mund të vetë-karantinohen në ambjentet e shtëpisë për 14 ditë.
Në pikën dy të urdhërit thuhet se të gjithë shtetasit shqiptarë që riatdhesohen në Republikën e Shqipërisë gjatë periudhës së epidemisë të shkaktuar nga Covid-19 dhe janë me banim në një nga zonat e “gjelbërta”, do të karantinohen për 14 ditë, në ambjentet e një strukture akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra me vendimin numër 311, datë 16.04.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit të akomodimit të përkohshëm të personave që riatdhesohen si rezultat i gjendjes së shkaktuar nga Covid-19”, i ndryshuar.
Në këtë urdhër janë edhe dy pika të tjera. Në pikën 3, thuhet se mosrespektimi i detyrimit të përcaktuar në këtë urdhër, për vetë-karantinimin për 14 ditë, të personave që riatdhesohen është i dënueshëm, sipas legjislacionit në fuqi.
Në pikën 4 të urdherit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se Inspektorati Shtetëror Shëndetësor mbikëqyr zbatimin e urdhërit dhe vendos masën e gjobës, sipas legjislacionit në fuqi.