Kryeministri lajmëron lehtësim të lëvizjes për bizneset: Leje e veçantë për ata që ofrojnë shërbim 24/24

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar lehtësira të reja për bizneset që lejohet të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Përmes një  postimi në faqen e tij në Facebook, kreu i qeverisë sqaron se aplikimi për çdo rast do të bëhet në e-Albania.

“Lehtësohet lëvizja për bizneset e lejuara! Gati “leje qarkullimi sipas nevojës së subjekteve” në e-Albania.

Tre seksione të dedikuara sipas profilit të biznesit, për: transport për stafin me autobusë ose furgona; leje-dalje për të marrë shërbime private dhe publike në çdo kohë brenda fashës orare zyrtare: 05.00-17.30; leje e veçantë për bizneset që ofrojnë shërbim 24/24.

Kujdes! Abuzimi me aplikimet për leje duke zgjedhur seksionin që nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin tuaj, sjell bllokimin e biznesit tuaj në sistem”, shkruan kryeministri në profilin e tij në Facebook.

Portali qeveritar, i cili po përdoret për dhënien e lejeve të lëvizjes për qytetarët dhe bizneset paraqiti këto seksione:

“Leje për transport për stafin” mundëson marrjen e lejes për qarkullimin e automjeteve të kompanive private që kryejnë transportin e punonjësve për përshkimin e itinerarit: Shtëpi-Punë-Shtëpi.
– “Leje për qarkullim për nevojat e subjekteve” mundëson pajisjen me leje për marrjen e shërbimeve të ndryshme private apo publike në çdo kohë brenda fashës orare zyrtare: 05.00 të mëngjesit deri në 17.30 të pasdites.
 “Leje për qarkullim për shërbimet e subjekteve” mundëson pajisjen me leje pa limit për ato biznese, të cilat ofrojnë shërbim 24 orë në 24. 

Kohëzgjatja e lejes së qarkullimit për nevojat e subjekteve është 7 ditë.

Shpërndaje