Pekini nuk i pranon thirrjet për një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi origjinën e virusit koronar në Kinë, tha ambasadorja kineze në Mbretërinë e Bashkuar, Chen Wen.
Chen i tha BBC-së se thirrjet për një hetim të tillë ishin të motivuara politikisht.
Ajo tha se një hetim i tillë do t’i pengojë autoritetet kineze të luftojnë vetë pandeminë COVID-19.
“Ne aktualisht po luftojmë virusin dhe kemi përqendruar të gjitha përpjekjet tona në atë luftë. Pse të flasim për një hetim? Kjo jo vetëm që do të shkëpusë, por do të shpërqendronte edhe burimet e Pekinit në luftën kundër virusit”, theksoi Chen.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se një numër i teorive të pakonfirmuara dhe dezinformatave në lidhje me shfaqjen e virusit koronar ishin disi të ngjashme me një “virus politik”, më të rrezikshëm se vetë COVID-19.
Të gjithë anëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) duhet të marrin pjesë në një hetim të pavarur për përhapjen e koronavirusit, tha më parë kryeministri australian Scott Morrison.
Ai më parë foli me disa liderë botërorë, përfshirë Presidentin Trump, për të marrë mbështetje për një hetim mbi origjinën dhe përhapjen e koronavirusit që u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar.
Morrison beson se të gjithë anëtarët e OBSH-së duhet të përfshihen në hetim. /tesheshi.com/