Kjo vajzë me probleme të shëndetit mendor të paktën prej më shumë se një muaji endet në rrugët e qytetit të Shkodrës pa asnjë lloj ndihme nga askush. Kryesisht këtë person me dhjetra qytetar që kalojnë në çdo orë të ditës kanë patur mundësinë ta shikojnë në qendër të qytetit të Shkodrës. Aq më tepër në këto kohë të vështira, kjo shtetase ka nevojë për ndihmën fillimisht të institucioneve të cilat e kanë lënë në mes të katër rrugëve pa asnjë lloj mbështetjeje.
Asnjë prej institucioneve qofshin rajonale por edhe vendore edhe pse janë të informuar për rastin në fjalë nuk kanë bërë asgjë. Në fakt projektet që nganjëherë shkojnë në miliona të pallogaritshme duhet që të përfshijnë edhe këto persona por realisht ky është një rast i qartë që tregon se në realitet ndodh e kundërta. Po ashtu institucionet e qeverisë mnë shumë kujdesen për foto në facebook dhe imazhe që nuk tregojnë situatën reale se sa të trajtojnë këto rast si kjo shtetase që fati keq i saj ka bërë që të jetë në këtë gjendje të vështirë.
Patjetër që situata nga COVID-19 mund të ketë shtuar ngarkesën e disa institucioneve por kjo nuk do të thotë aspak se persona të tillë me probleme të theksuara, familje që nuk i përkrahin dhe me çështje të thella sociale dhe ekonomi të rrënuar totalisht të lihen në këtë gjendje të turpshme.
Institucionet çdo ditë bëjnë sensibilizime e ndërgjegjësime për qytetarët që të tregohen të kujdesshëm por në fakt në këtë rast a po tregojnë kujdes këto institucione dhe a po e bëjnë punën e tyre. Përse duhet që vetëm kronikat televizive të bëhen shkak për zgjidhjen e të tilla problemeve kur në fakt kjo vajzë ka mbi një muaj që endet rrugëve, pa ushqim dhe pa asnjë përkujdesje. Shpresojmë që dikush të kujtohet dhe sidomos ata që e kanë për detyrë!