COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 9 raste të reja, shkon në 548 numri i të prekurve
19 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit. Shkon në 302 numri i të shëruarve. Numri i të shëruarve vijon të jetë më i lartë se numri i të infektuarve aktivë
Prof. Mira Rakacolli
Zv/ Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Në komunikimin tonë të përditshëm në lidhje me situatën e infeksionit Sars Cov 2 dhe Sëmundjen Covid 19 në Shqipëri, ju bëjmë me dije se:
Në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar si bartës të virusit, ose të sëmurë me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 9 raste pozitive me COVID19. Nga rastet e reja 5 i përkasin Kurbinit, 2 raste në Kukës, 1 rast në Tiranë, 1 rast në Fier.
Deri në këto momente janë testuar 5311 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 548 raste, pra rreth 10% e të gjithë të testuarve.
Kjo shifër, e komentuar nga epidemiologët, tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm tesimesh për të vlerësuar situatën.
Gjatë 24 orëve të fundit, 19 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 302.
Aktualisht në vendin tonë janë 220 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet, numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje që prej 7 ditësh.
Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Kurbin, Tiranë, Kukës dhe Fier.