12 gjërat që duhet të pastroni pasi të ktheheni në shtëpi…

Shpërndaje

Përgatiti: Dr. Jeton Zenuni

Duke qenë se gjatë javës na bie disa herë të lëmë shtëpinë për në dyqan, për të blerë gjëra ushqimore ose për të kryer aktivitete të tjera thelbësore, është mirë të mësohemi se si të dezinfektojmë ato gjëra me të cilat bijmë më së shpeshti në kontakt, për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së COVID-19 në shtëpitë tona.

Dezinfektimi kundrejt pastrimit

Distanca sociale dhe izolimi në shtëpi janë masa të rëndësishme për të ndihmuar në rrafshimin e kurbës dhe për të zvogëluar përhapjen e COVID-19. Dezinfektimi dhe pastrimi i çdo gjëje që futet në shtëpi nga jashtë, përfshirë edhe veten tuaj, është gjithashtu parësore.

Shkencëtarët dhe komuniteti mjekësor në vazhdimësi janë duke zbuluar mënyra të ndryshme me të cilat mund të transmetohet COVID-19, por të gjithë duket se bien dakord se higjena e duhur është një hap i rëndësishëm në këtë luftë. Çfarë do të thotë kjo, kur bëhet fjalë për pastrimin e gjërave që sillni në shtëpinë tuaj?

“Një nga sfidat me të cilat ballafaqohemi këto ditë, është se ka shumë informacione fillestare në lidhje me virusin e veçantë që shkakton COVID-19, SARS CoV-2, por shumë pak kërkime themelore janë kryer për të përcaktuar se sa kohë mund të mbijetojnë në sipërfaqe,” thotë Meghan A. May, MS, PhD, profesor i mikrobiologjisë dhe sëmundjeve infektive në Universitetin e New England College”. Lajmi i mirë është që SARS CoV-2 është shumë i ndjeshëm ndaj shumë dezinfektuesve, përfshirë sprejeve ose dezinfektantëve tjerë me bazë alkooli, komponimeve të amoniumit, deterxhentëve, pastruesve me bazë zbardhues dhe nxehtësisë.”

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raporton se “pastrimi i sipërfaqeve dukshëm të kontaminuara, i pasuar nga dezinfektimi është masa praktike më e mirë për parandalimin e COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera virale respiratore në shtëpitë tona.” Pra, cili është dallimi? Pastrimi i referohet heqjes së mikrobeve dhe papastërtive të tjera nga sipërfaqet – kjo nuk vret mikrobet, por përkundrazi ndihmon në uljen e numrit dhe rrezikun e përhapjes së infeksionit. Dezinfektimi, në anën tjetër, i referohet përdorimit të dezinfektuesve kimikë që shkatërrojnë mikrobet nëpër sipërfaqe. Meqenëse shumë pastrues dhe dezinfektues janë të ashpër për lëkurën, është mirë të vishni dorëza të disponueshme kur pastroni me to. Sigurohuni t’i hidhni dorezat pas çdo përdorimi dhe menjëherë t’i lani duart.

“Kur të bleni një produkt pastrimi antimikrobik, është e rëndësishme të merret në konsideratë që efektiviteti optimal i dezinfektuesve në reduktimin prej 99.9 përqind të patogjenëve të veçantë, do të arrihet vetëm pasi të përdoret sipas udhëzimeve të etiketës”, paralajmëron Samara Geller, hulumtuese e lartë dhe analiste e bazës së të dhënave për Environmental Working Group (EWG). “Shumë shpesh, një ose më shumë faktorë kyç të dezinfektimit anashkalohen nga përdoruesi.”

Ja çfarë duhet të veproni momentin kur të ktheheni në shtëpi nga dyqani.

Duart

Lani duart. Sapuni dhe uji duhet të jenë gjithnjë zgjedhja juaj e parë. Nëse nuk është në dispozicion, zgjidhni një dezinfektues me bazë alkooli me të paktën 60 përqind alkool izopropil. Fërkojini tërësisht për të paktën 20 sekonda, duke larë pjesën e përparme dhe të pasme të duarve dhe gishtërinjve, midis gishtërinjve dhe thonjve të gishtërinjve (përfshirë nën thonjtë e gjatë). “Ju nuk keni nevojë të përdorni sapun antibakterial, as nuk keni nevojë të përdorni ujë të nxehtë”, thotë Elizabeth Mullans, MD, dermatologe e çertifikuar nga bordi dhe themelues i Uptown Dermatology në Houston, Texas. “Mos prekni sytë, hundën ose gojën tuaj derisa të keni duar të pastra.” Ju do të duhet të lani duart përsëri kur të keni vendosur gjërat ushqimore nëpër shtëpi ose pasi të keni përdorur ndonjë gjë tjetër që keni sjellë nga jashtë. Lani duart menjëherë pasi të keni prekur këto 10 gjëra.

Celularët

Mundohuni të mos e vendosni celularin tuaj diku tjetër, por në xhepin ose çantën tuaj. Sa më pak ekspozim ndaj sipërfaqeve publike, aq më mirë. Pasi të ktheheni në shtëpi, doktor Mullans thotë që të përdorni pëlhurat dezinfektuese (siç është Clorox, ose fshinat me bazë alkooli që përmbajnë të paktën 70 përqind alkool izopropil). “Sigurohuni që të fshini të gjithë telefonin, përfshirë ekranin,” thotë ajo. “Dezinfektoni telefonin tuaj të paktën një herë në ditë, edhe nëse jeni duke qëndruar në shtëpi, por më shpesh nëse keni qenë jashtë.” Ju do të befasoheni kur ta kuptoni se edhe në rrethana normale, sa i papastër është telefoni juaj celular.

Portofoli – kuleta

Ashtu si me telefonin tuaj, përpiquni të mbani çantën ose portofolin me vete në vend që ta hidhni në shportën e blerjeve. Pasi të ktheheni në shtëpi, do t’ju duhet t’i referoheni udhëzimeve të prodhuesit se si të pastroni portofolin ose çantën tuaj, pasi kjo varet kryesisht nga materiali. Të paktën, mbajini këto sende larg nga tavolina dhe banaku në kuzhinë dhe lani duart sa herë që i prekni.

Çantat ushqimore

Ndërsa mund të keni shprehi të sjellni çantat tuaja në dyqan ushqimesh në përpjekje për të zvogëluar plastikën për një përdorim, tani mund të mos jetë koha të shqetësoheni për ndikimin e tyre në mjedis. “Gjatë krizës COVID-19, unë rekomandoj të përdorni çanta ushqimore të furnizuara nga dyqanet ushqimore,” thotë Dr. Mullans. Nëse nuk jeni të gatshëm të hiqni dorë nga çantat tuaja të ripërdorshme, ajo sugjeron t’i lani ato në një makinë larëse ose të paktën t’i fshini me dezinfektues pas çdo përdorimi. Gjithashtu, cilado sipërfaqe t’i vendosni qeset e sendeve tuaja ushqimore në shtëpi (sipërfaqet e vështira jo poroze si banakët, dyshemetë ose tavolina janë më të lehta për tu pastruar sesa qilimat ose tapeti) duhet të dezinfektohen plotësisht pasi ato të pastrohen. Doktor May thotë se virusi mund të mbetet në qese letre për rreth 24 orë, kështu që nxirrni këto sa më shpejt që të jetë e mundur. Këto janë dobësitë e çantave të ripërdorshme për të cilat duhet të mendojnë më shumë njerëzit.

Produktet e blera

Në rregull, çantat ushqimore nuk do t’i përdorni, por si të veprojmë me ato produkte ushqimore të cilat i keni sjellë në shtëpi nga një raft dyqanesh? Mjafton të shpëlani gjërat e blera; mos përdorni zbardhues, sapun ose dezinfektues të tjerë. Dr Sanjay Gupta, korrespodent kryesor mjekësor i manjatit televiziv CNN, sugjeroi improvizimin e një zone “të papastër” dhe “të pastër” në banakun e kuzhinës tuaj kur të nxirrni kanaçet, gjërat me kuti dhe produkte të tjera të paketuara – vendosni gjithçka në zonën e papastër, dhe ndërsa pastroni sipërfaqen e secilit artikull dhe e fshini atë, vendoseni në zonën e pastër. Shmangni prekjen e fytyrës tuaj gjatë këtij procesi, dhe më pas dezinfektoni gjithçka në zonën e ndyrë kur të keni mbaruar. Në fund, lani duart.

Vetura

Tani, është koha që të ktheheni përsëri në makinën tuaj dhe të filloni të fshini gjurmët tuaja. Virusi mund të jetojë në një timon plastik për rreth 75 orë dhe një derë makine për afro 40 orë, thotë Dr May. Përveç këtyre gjërave, kur keni dalë nga dyqani, ka të ngjarë të keni prekur edhe çelësat, rripin e sigurimit, ulësen, ndërruesin e shpejtësisë, pasqyrën, dhe mbajtësen e gotës. Përdorni sprejin dezinfektues për gjitha këto, përveç lëkurës.

Gjërat që i prekim shpesh

Gjatë rrugës për në shtëpi nga makina, sa gjëra prekët para se të lani duart? Reflektoni për gjithçka që është e mundur – gjëra të tilla si hapësja e dyerve të garazhit, dorëza e derës, paneli i sistemit të alarmit, dhe pastaj filloni dezinfektimin e secilën sipërfaqe me sprej dhe leckë. Pastaj lani duart përsëri.

Rrobat

Nëse jeni duke u kujdesur ose ndodheni shpesh në afërsi të një individi me COVID-19, larja e shpeshtë e rrobave është pjesë thelbësore e higjenës parandaluese. Kjo përfshin, veçanërisht, individë me rrezik të lartë, siç janë punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Daljet e zakonshme në dyqan ushqimesh nuk nuk janë arsye për larjen e menjëhershme të rrobave momentin që futeni në shtëpi. Sidoqoftë, nëse nuk keni qenë në gjendje të mbani një distancë të sigurt sociale nga të tjerët ose, edhe më keq, dikush është kollitur ose teshtitur në afërsinë tuaj të drejtpërdrejtë, larja e atyre rrobave do të ishte një veprim i domosdoshëm.

Këpucat

Ashtu si me çantën dhe portofolin, këpucët mund të jenë tepër të vështira për t’u dezinfektuar. Nëse keni një palë këpucë që lahen me makinë, zgjidhni ato për daljet tuaja këto ditë, dhe hidhni ato me rrobat pasi të ktheheni në shtëpi. Përndryshe, mund të jetë një ide e mirë që t’i leni këpucët përjashta, ose nëse keni mundësi brenda në garazhë.

Stolitë

Është e rëndësishme të mbani bizhuteri tuaj më të pastër se kurrë, veçanërisht unazat dhe rrathët. Nëse pastrohet vetëm gjatë procesit normal të larjes së duarve, mund të mos jetë e mjaftueshme – mikrobet mund të fshihen në hapësirën midis lëkurës tuaj dhe metalit. “Pastroni bizhuteritë sipas udhëzimeve të prodhuesit”, thotë Dr. Mullans, e cila është e pajtimit të mos barten bizhuteritë gjatë pandemisë.

Trupi juaj

Tani, pasi gjithçka që keni prekur është dezinfektuar aq sa është e mundur, koha të mendoni se si ta pastroni trupin tuaj. “Sidomos gjatë krizës COVID-19, unë rekomandoj dush dhe larje flokësh, me t’u kthyer në shtëpi pasi të mbaroni punë, nëse është e mundur,” thotë Dr. Mullans. “Nëse lëkura dhe duart bëhen të thata me larje dhe larje më të shpeshta, përdorni hidratues.”/Familjadheshendeti

Shpërndaje