Toni Gogu: Burgu i Shënkollit do të kthehet në institucion të shëndetit mendor…

Shpërndaje

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re ku përparimi i reformës në drejtësi matet drejtpërdrejt me përvojën e përditshme të qytetarëve.

Duke u ndalur te Raporti i fundit i Sundimit të Ligjit, ai e cilësoi atë si një etapë historike që konfirmon konsolidimin e sistemit, ndonëse theksoi nevojën për më shumë përpjekje në luftën ndaj korrupsionit dhe plotësimin e vakancave.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë të re, ku përjetesa matet me atë që qytetari ndesh çdo ditë në organet e drejtësisë. Jemi këtu për të thënë atë se çfarë ka ndodhur, të mirat dhe të këqijat në sistem. Pak më parë u publikua raporti i Sundimit të Ligjit. Shqipëria po konsolidon reformën në drejtësi, ky është pohimi kryesor i atij raporti. Raporti e vlerëson si një etapë historike. Progresi nuk është arsye për t’u kënaqur, sepse raporti ka edhe kritika: lufta ndaj korrupsionit të fuqizohet më shumë, të plotësohen vakancat.

Gjatë pesë muajve të fundit, më shumë se 3 mijë qytetarë në pamundësi ekonomike kanë përfituar ndihmë juridike falas, duke shënuar një rritje prej 19% krahasuar me vitin e kaluar.

“Gjatë këtij 5-mujori, ne si Ministri e Drejtësisë, kemi qenë atje ku drejtësia takohet me qytetarin. Kemi marrë një zotim: me nisjen e reformës në drejtësi, asnjë qytetar me mungesë ekonomike nuk mund të mbetet pas. Mbi 3 mijë qytetarë kanë marrë shërbim juridik falas. Sa i përket rritjes krahasuar me vitin e kaluar, jemi duke folur për 19% rritje. Asnjë qytetar pa ndihmë juridike për shkak të pamundësisë ekonomike.”

Ministri zbardhi gjithashtu bilancin e amnistisë penale, nga e cila kanë përfituar mijëra persona përmes lirimit, uljes së dënimit apo shërbimit të provës. Sa i përket reformave në sistemin penitenciar, ai nënvizoi se po synohet balancimi i sigurisë me rehabilitimin, përfshirë krijimin e një institucioni të veçantë për shëndetin mendor brenda burgjeve.

“Sa i takon amnistisë penale, jemi duke folur për një ligj të zbatuar. Është zbatuar tërësisht me bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë. 553 persona janë liruar, 863 persona kanë përfituar ulje dënimi, 2300 persona kanë përfituar nga shërbimi i provës. Kriteret e amnistisë nuk i cakton ministri, e as opinioni publik, por i cakton Kuvendi.”

Burgu i Shënkollit në Lezhë do të kthehet në institucion të shëndetit mendor.

“Po synojmë të peshojmë sigurinë dhe rehabilitimin në burgje. Kemi një plan dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor. Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohen të dënuarit që vuajnë nga shëndeti europian në çdo vend europian. Do të marrë disa vjet.”

Shpërndaje