
Konsorciumi “Salillari”, “ALB TIEFBAU”, “InfraKonsult” dhe “ERALD-G” do të ndërtojë aksin e ri me vlerë rreth 365 milionë euro pa TVSH
Është shpallur fituesi i koncesionit për ndërtimin e autostradës Milot-Balldre. Sipas të dhënave të publikuara në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, kontrata i është dhënë Bashkimit të Përkohshëm të Shoqërive “Salillari” sh.p.k., “ALB TIEFBAU” sh.p.k., “InfraKonsult” sh.p.k. dhe “ERALD-G” sh.p.k.
Oferta fituese ka marrë 93 pikë nga 100 të mundshme, me një vlerë totale të parashikuar prej 364.7 milionë euro pa TVSH.
Në garë ishin edhe dy oferta të tjera nga bashkimet e kompanive “4 A-M”, “YÜKSEL INŞAAT”, “SEED CONSULTING”, “TRANSPORT HIGHWAY CONSULTING”, si dhe “A.N.K”, “GJOKA KONSTRUKSION” dhe “A&E Engineering”, por ato janë skualifikuar.
Autostrada e re Milot-Balldre do të ketë një gjatësi prej 17 kilometrash dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2028. Aksi do të lidhë nyjën e Milotit me rrugët ekzistuese drejt Rrugës së Kombit dhe segmentin Tiranë–Shkodër në Balldre.
Ky segment është pjesë e rëndësishme e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe do të ndërtohet me financim privat. Pas përfundimit, rruga do të funksionojë me pagesë kalimi, ndërsa për qytetarët do të ketë edhe një rrugë alternative pa pagesë të kategorisë “C”.
Kompania fituese do të sigurojë kthimin e investimit përmes tarifave të përdorimit të autostradës.




