PD zgjedh drejtuesit e rinj, Flamur Noka rizgjidhet Sekretar i Përgjithshëm…

Belind Këlliçi, Nikola Kedhi dhe Erisa Bajaziti zgjidhen nënkryetarë, ndërsa Klevis Balliu merr detyrën e Sekretarit Organizativ pas votimit në Këshillin Kombëtar.

Shpërndaje

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të së enjtes procesin e votimit për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve, drejtuesve të sekretariateve dhe anëtarëve të Komisionit të Apelimit.

Flamur Noka është rizgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, duke siguruar 184 vota përballë deputetit Saimir Korreshi, i cili mori 84 vota. Kandidatura e Korreshit u bë publike vetëm pak para votimit, ndërsa ai vetë deklaroi se ishte njoftuar për garën vetëm ditën e zgjedhjeve.

Rikandidimi i Nokës u shoqërua me debate gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Anëtarja Ilirjana Kuçana kërkoi sqarime nga kryetari Sali Berisha për kandidimin e tij, duke e cilësuar Nokën si një “fenomen që duhet luftuar”.

Në strukturën drejtuese nuk pati ndryshime sa i përket Gazment Bardhit, i cili vijon të mbajë postin e kryetarit të Grupit Parlamentar, ndërsa Agron Gjekmarkaj mbetet nënkryetar i partisë.

Nga votimi për nënkryetarë, Belind Këlliçi fitoi përballë Luçiano Boçit me rezultatin 177 me 113 vota. Nikola Kedhi u zgjodh nënkryetar pasi mori 174 vota kundrejt 101 të Jonathan Panos, ndërsa Erisa Bajaziti triumfoi ndaj Besa Manajt me 193 vota kundrejt 69, duke përfaqësuar diasporën në drejtimin e partisë.

Ndërkohë, Klevis Balliu u zgjodh Sekretar Organizativ, duke zëvendësuar Ervin Minarollin. Balliu fitoi garën përballë Agron Lokës.

Këshilli Kombëtar miratoi gjithashtu edhe drejtuesit e sekretariateve të tjera të PD-së:

  • Andi Mustafaj – Sekretar për Burimet Njerëzore;
  • Marash Logu – Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore;
  • Viola Kapedani – Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun;
  • Eva Metaj – Sekretare për Organizatat Partnere dhe Shoqërinë Civile;
  • Fjoralba Dizdari – Sekretare për Integrimin Evropian;
  • Ethem Aga – Sekretar për Emigracionin dhe Diasporën;
  • Etion Kapedani – Sekretar për Dixhitalizimin;
  • Gentian Kaprata – Sekretar për Infrastrukturën dhe Territorin;
  • Endira Bushati – Sekretare për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit;
  • Franc Nuri – Sekretar për të Drejtat e Njeriut;
  • Shkëlqim Lepenica – Sekretar për të Përndjekurit Politikë;
  • Ylli Asllani – Sekretar për Pushtetin Lokal;
  • Erges Eskiu – Sekretar për Aksionin Qytetar.

Po ashtu, u zgjodhën edhe pesë anëtarët e Komisionit të Apelimit: Adriana Kalaja, Besart Logu, Shaqir Manjani, Suina Asllanaj dhe Gentian Koçi.

Shpërndaje