Avokati i xhaxhait të autorit të vrasjes së gjyqtarit Kalaja kundërshton shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut”…

Shpërndaje

Avokati i Gjon Shkambit, xhaxhait të Elvis Shkëmbit, i cili akuzohet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, ka kundërshtuar propozimin për shpalljen e gjyqtarit të ndjerë “Dëshmor i Atdheut”.

Në një deklaratë për mediat, avokati ka bërë të ditur se sipas tij, ky vendim nuk përmbush kriteret e përcaktuara nga ligji dhe ka paralajmëruar ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore për të verifikuar ligjshmërinë e tij.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe respekt për humbjen e jetës së tij, por ka theksuar se reagimi publik dhe dhimbja për ngjarjen nuk mund të zëvendësojnë zbatimin e kritereve ligjore.

Sipas mbrojtjes, statusi “Dëshmor i Atdheut”, i parashikuar në ligjin nr. 109/2018, jepet vetëm në rrethana të veçanta, që lidhen me mbrojtjen e interesave kombëtare, luftën kundër terrorizmit, kriminalitetit apo shpëtimin e jetëve në situata të përcaktuara.

Avokati pretendon se vrasja e gjyqtarit Kalaja lidhet me një konflikt me natyrë civile dhe, sipas tij, nuk përfshihet në kategoritë që parashikon ligji për dhënien e këtij statusi.

Gjithashtu, ai ka ngritur shqetësimin se procesi penal ndaj klientit të tij është ende në vijim dhe se një vendimmarrje e tillë institucionale mund të krijojë, sipas tij, perceptimin e paragjykimit të çështjes.

“Statusi ‘Dëshmor i Atdheut’ nuk mund të bazohet vetëm në ndjenjën e dhimbjes apo rëndësinë e detyrës së ushtruar, por duhet të mbështetet në kushtet dhe kriteret e përcaktuara shprehimisht nga ligji”, është shprehur avokati.

Në përfundim, ai ka deklaruar se do të përdoren të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së propozimit dhe akteve administrative që mund të pasojnë.

Avokati ka kërkuar që çështja të trajtohet me qetësi dhe në respekt të ligjit, duke theksuar se nderimi për figurën e gjyqtarit dhe parimi i legalitetit duhet të ecin paralelisht.

Shpërndaje