
Urbanisti Imeldi Sokoli ka kritikuar koston e aksit Milot–Balldre, duke e cilësuar shumë më të lartë se në vendet europiane. Sipas tij, projekti 17 km i gjatë pritet të kushtojë rreth 364 milionë euro (21.5 mln €/km), duke e krahasuar me kosto më të ulëta në Austri dhe Danimarkë.
Ai ngre gjithashtu shqetësime për tarifat e qarkullimit, që sipas tij, së bashku me aksin Thumanë–Kashar, mund të arrijnë rreth 1000 lekë për një vajtje-ardhje, duke e konsideruar sistemin e propozuar më të shtrenjtë se praktikat europiane.
Postimi i plotë:
Përtej skandalit që e gjithë struktura e shtetit asht lëshu me ndy protestën, në Shqipninë tonë ‘normale’ skandalet lulëzojnë përditë.
Nji skandal për të cilin jam kompetent me e gjyku asht rasti i segmentit të rrugës Milot–Balldre për të cilin u shpall fituesi për zbatimin e projektit para pak ditësh.
Në tabelën e mëposhtme paraqiten kostot për km linear në vende të ndryshme të Europës, ndërkohë aksi Milot–Balldre pritet të kushtojë 364 mln euro me një gjatësi 17 km, që do të thotë që do të kushtojë rreth 21.5 mln euro/km, shifër e cila është gati 2 fish më e lartë se kostoja e ndërtimit të kësaj rruge në Austri dhe gati 4 fish më e lartë kostoja e ndërtimit të kësaj rruge në Danimarkë sipas tabelës së mëposhtme.
Aksi Milot–Balldre po ashtu pritet të ketë tarifë qarkullimi rreth 250 lekë për kalim, që i bie rreth 500 lekë për një rrugë (për të shkuar dhe për t’u kthyer), duke shtuar këtu edhe tarifën e aksit Thumanë–Kashar, tarifa e qarkullimit shkon në 1000 lekë për një rrugë (vajtje-ardhje). Sa i përket si stemit të pagesave të qarkullimit në autostradat e Europës, vinjeta më e kushtueshme është ajo e Hungarisë, e cila është 157 euro për të gjithë vitin në të gjithë rrjetin e autostradave të saj dhe për përdorim pa limit. Kjo kosto arrihet me vetëm 16 rrugë kalime në dy segmentet Milot–Balldre dhe Thumanë–Kashar, në vetëm 38 km autostradë.
Nuk po flasim për cilësi punimesh ndërmjet akseve rrugore dhe gjithashtu nuk po marrim shembull Gjermaninë dhe Danimarkën, të cilat nuk kanë tarifë qarkullimi shtesë për autostradat.
Gëzuar Shqiptar, gëzuar o banor i mbetun në Shkodër e në Lezhë…
Jam i habitun si ka mundësi që një banor me logjikë të shëndoshtë e voton një qeverisje të tillë e cila prodhon këtë hajni…🙃





