Prefektura Shkodër mbledh strukturat e mbrojtjes civile, fokus reagimi ndaj emergjencave…

Shpërndaje

Në kuadër të forcimit të kapaciteteve kombëtare në fushën e mbrojtjes civile, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë zhvilluan një takim pune të fokusuar në koordinimin e veprimeve dhe rritjen e efektivitetit të strukturave përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave civile.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe strukturave të tjera të përfshira në sistemin e mbrojtjes civile.

Gjatë diskutimeve u vu theksi te rritja e efektivitetit operacional në situata emergjente, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe përmirësimi i kapaciteteve logjistike dhe burimeve njerëzore. Po ashtu, pjesëmarrësit diskutuan mbi rritjen e ndërgjegjësimit publik për rolin e Forcave të Armatosura në shërbim të komunitetit, nxitjen e rekrutimit të të rinjve dhe promovimin e mundësive të karrierës në ushtri.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte zhvillimi i sistemit të forcave rezerviste, në përputhje me standardet e NATO-s, me synim rritjen e gatishmërisë dhe reagimit në raste emergjencash.

Në përfundim të takimit u theksua rëndësia e koordinimit të ngushtë ndërinstitucional dhe e investimeve të vazhdueshme në kapacitetet njerëzore dhe logjistike, si elementë kyç për garantimin e një reagimi të shpejtë dhe efikas ndaj çdo situate emergjente.

Shpërndaje