
Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), institucion në varësi direkte të Këshillit të Ministrave, i ka akorduar kompanisë “Evita” të biznesmenit Klodian Allajbeu dy kontrata të reja me vlerë totale rreth 1.3 miliardë lekë. Të dyja procedurat, të zhvilluara brenda një harku kohor prej vetëm katër ditësh, konfirmojnë vijueshmërinë e një praktike problematike në prokurimet e shëndetësisë, mungesën e konkurrencës efektive dhe skualifikimin e ofertave më ekonomike.
Më 29 maj, OBP mbylli procedurën tenderuese me objekt “blerjen e impiantit koklear për nevoja të QSUNT”, me afat 24-mujor dhe fond limit rreth 1.2 miliardë lekë. Ky prokurim ka si qëllim sigurimin e pajisjeve mjekësore elektronike për personat me dëmtime të rënda të dëgjimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në këtë garë u paraqitën dy operatorë ekonomikë me oferta dukshëm të ndryshme. Kompania “FEDOS” paraqiti ofertën prej 903 milionë lekësh, ndërsa kompania “Evita” ofertën prej 1.1 miliardë lekësh.
Ndonëse kompania “FEDOS” ofroi rreth 197 milionë lekë më pak, institucioni i drejtuar nga Arlinda Pogaj vendosi ta skualifikojë këtë subjekt me argumentin se nuk plotësonte kriteret teknike të tenderit. Si rrjedhojë, fusha iu la e lirë kompanisë “Evita”, e cila fitoi kontratën me një ofertë sa 91% e fondit limit.

Nëse tek i pari pati të paktën një përpjekje për të krijuar iluzionin e një gare, katër ditë më vonë OBP i bën “dhuratën” e radhës Klodian Allajbeut në një tender ku ai nuk pati asnjë konkurrent.
Më 3 qershor, OBP shpalli fituesin për tenderin me objekt “blerjen e kiteve, reagentëve dhe materialeve të konsumit për kryerjen e analizës së ngarkesës virale për HIV”, për llogari të Institutit të Shëndetit Publik. Këto janë materiale laboratorike kritike që matin sasinë e virusit në gjakun e pacientëve të prekur me HIV.

Për këtë procedurë, ku fondi limit ishte përcaktuar në rreth 68 milionë lekë, nuk pati asnjë rivalitet. Në të mori pjesë vetëm kompania “Evita”, me një ofertë sa 99.7% e vlerës së tenderit. OBP, në vend që ta anulonte ose ta shtynte procedurën për të nxitur konkurrencën, zgjodhi të shpallë fituese kompaninë e Allajbeut.

Këto dy raste nuk janë episode të izoluara, por pjesë e një sage 10-vjeçare, ku kompania “Evita” ka vendosur një lloj regjimi monopolist në tregun e shëndetësisë publike. Gjatë kësaj periudhe, kjo kompani ka siguruar qindra procedura prokurimi me një vlerë totale prej të paktën 40 milionë eurosh.
Ndryshimi i strategjisë nga qeveria, duke ua hequr të drejtën e tenderimit spitaleve individuale dhe duke ia kaluar atë një trupe të përqendruar si OBP, u paraqit si një vendim për të rritur kontrollin, konkurrencën dhe për të luftuar korrupsionin.
Në realitet, ky centralizim thjesht ka lehtësuar rrugën. Në vend që të duheshin bindur disa institucione, tani mjafton një zyrë e vetme në varësi të Këshillit të Ministrave për të vulosur fatin e qindra miliona eurove, duke e lënë shëndetësinë publike në duart e të njëjtit “shërues” të përhershëm.
Përveç tenderave mjekësorë, perandoria e Allajbeut, i cili zotëron edhe “Spitalin Amerikan”, mban dy nga koncesionet më të mëdha dhe më të kontestuara në shëndetësinë shqiptare: koncesionin e Hemodializës me vlerë 84 milionë euro dhe koncesionin e Laboratorëve me vlerë 130 milionë euro.
Në total, bëhet fjalë për 214 milionë euro nga paratë e qytetarëve shqiptarë, të cilat prej vitesh janë në qendër të kritikave nga pacientët dhe media, ndërsa ankesat për mungesën e shërbimeve që duhet të garantohen nga këto kontrata marramendëse vijojnë të jenë të shumta./VNA.al




