MANIFESTI I QËNDRESËS: PSE S’KA KTHIM PRAPA DHE CILAT JANË 5 SHTYLLAT E REVOLTËS SONË…

Shpërndaje

Nga Damir Dibra

Sot Shqipëria nuk po përballet thjesht me nji krizë politike të radhës, por me nji tentativë të koordinueme për tjetërsimin e substancës së saj tokësore, historike dhe ekologjike. Ata që pushtetin e shohin si licencë për të ndarë vendin si plaçkë lufte, po na thonë se duhet të heshtim në emër të “zhvillimit”. Por kur zhvillimi vjen përmes skemave të fshehuna, ligjeve të porositura natën dhe dorëzimit të pasurisë kombëtare në duart e oligarkisë globale, ai nuk asht zhvillim – asht pushtim me letra e me vula.

Si aktivistë dhe qytetarë që kemi vendosë me dalë zot shtëpie në këtë vend, ne nuk jemi në shesh për arna e premtime boshe. Kemi dalë me nji platformë të qartë e të prerë. Këto janë 5 kërkesat tona të panegociueshme ndaj këtij regjimi:

  1. Dorëheqja e plotë e qeverisë

Nuk mund të ketë besim, as dialog dhe as zgjidhje me nji strukturë ekzekutive që ka funksionue si zyrë noterizimi për interesat e investitorëve të huaj. Projekti i Zvërnecit dhe marrëveshjet që fshehin fijet e oligarkisë ndërkombëtare nuk janë gabime pa dashje – janë vullnet politik për t’ia zhveshë Shqipërisë sovranitetin mbi pronën e saj. Kjo qeveri ka humbë legjitimitetin moral dhe kushtetues; ajo asht përgjegjësja direkte për këtë tentativë shpronësimi të popullit dhe duhet të largohet nji orë e ma parë.

  1. Shfuqizimi i statusit dhe ligjit për investitorët strategjikë

Ky ligj nuk asht gjë tjetër veçse nji maskë juridike për të legalizue grabitjen. Nën emrin e “investitorit strategjik”, ky kuadër ligjor u jep të drejtë të huajve dhe klientëve të pushtetit të hyjnë në zonat tona ma të rëndësishme pa asnji transparencë, pa garë dhe pa llogaridhënie. Nuk ka strategji kombëtare ku shqiptari mbetet thjesht nji rrogëtar e shërbëtor në tokën e vet. Ky ligj duhet të shfuqizohet për t’i mbyllë rrugën korrupsionit të ligjëruem.

  1. Shfuqizimi i “Paketës së Maleve”

Me këtë paketë, sulmi i oligarkisë po shtrihet nga bregdeti deri në lartësitë tona natyrore. Ajo që ata e quajnë “potencial zhvillimi”, në të vërtetë asht nji dënim me vdekje për zonat tona alpine dhe komunitetet lokale që i kanë mbrojtë ato ndër shekuj. Shkatërrimi i habitateve natyrore për të ndërtue resorte private nuk sjell asgjë përveç izolimit të maleve dhe pasurimit të nji grushti njerëzish, duke dëbue banorët autoktonë.

  1. Anulimi i ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura

Zonat e mbrojtura janë pasuria ekologjike dhe trashëgimia e paprekshme e këtij kombi. Ndryshimet e fundit ligjore janë bërë me porosi, vetëm për të hapë rrugë për betonizim dhe ndërtime në pikat ma ekologjikisht të ndjeshme të vendit. Ndryshimi i këtyre kufijve për t’i hapur rrugë makinerive të rënda asht krim mjedisor që do të ketë pasoja të pakthyeshme për brezat që vijnë. Ky ligj duhet të kthehet menjiherë në pikën ku natyra mbrohej me ligj, jo ku ligji përdoret për ta mbytur natyrën.

  1. Anulimi i ndryshimeve në Ligjin për
    Trashëgiminë Kulturore

Kush sulmon identitetin dhe historinë, po kërkon me na çrrënjosë si popull. Ndryshimet në këtë ligj u lejojnë ndërhyrjet ndërtimore pikërisht aty ku ruhen gjurmët tona historike e kulturore. Kthimi i hapësirave me vlerë monumentale në zona biznesi apo hotelerie asht fyerje për kujtesën tonë kolektive. Historia nuk asht mall tregu që mund të shitet për përfitime afatshkurtra.

Këto pesë kërkesa nuk janë thjesht pika në nji letër; ato janë vija e kuqe mes nji Shqipërie që qëndron me dinjitet si zot shtëpie dhe nji Shqipërie që kthehet në një han pa porta për skemat e fshehuna globale. Kërcënimet e tyne, shpifjet e shtypit të paguem dhe propagandat me “spiunë të huaj” nuk na bëjnë përshtypje. Frika ka vdekë.

Shpërndaje