
Nga Justinian Topulli
Ore vërtetë kaq të lajthitur janë këta “analistët” dhe “politikanët” pro sistem, që nuk e kuptojnë se nuk ka konspiracion që i bën bashkë kaq shumë njerëz në këto protesta?!
Si është e mundur që si pozita dhe opozita nuk duan ta pranojnë se njerëzit protestojnë kundra kastës qeverisëse dhe politike dhe jo thjesht për një projekt të një resorti turistik?
Si është e mundur që këta nuk e kthejnë gishtin nga vetja, por shohin vetëm armikun e jashtëm?!
Fakti që në protestë ka nga të gjitha grupimet, edhe të kundërt madje në bindje dhe ideologji, tregon më së miri pikërisht se rebelimi është kundra sistemit të korruptuar politik, kundra të fortëve të shtetit, të biznesit, të krimit, që kanë zaptuar këtë vend dhe po e tërheqin zvarrë këtë popull dhe jo për interes të x agjende apo shteti.
Shqipëria nuk është vendi i parë dhe as i fundit që sheh të tilla shpërthime të gjeneratës Z, edhe pse në këtë protestë ka mjaft edhe nga gjeneratat e tjera.
Kjo është protestë anti-establishment, anti-elitë dhe anti-sistem, është rebelim dhe shpërthim popullor i pakontrolluar, ndaj dhe nuk ka asnjë kokë organizatore që qëndron pas saj, sado që të gjithë mund të jenë prezentë dhe do të donin ta kanalizonin në hulli të tyre. Ndaj duke mos kuptuar këtë të vërtetë, është gafë e madhe ta gjykosh protestën nga ajo se kush mendohet se përfiton prej saj, ndërkohë që duhet gjykuar nga motivi i saj publik, që është më se i qartë, rrëzimi i kokës së sistemit.




