
Nga Redi Shehu
Ngjarja e fundit ne Zvërnec është faza kulmore e një proçesi ngulfatjeje që shqiptarëve u kishte ardhur deri ne fyt. Zvërneci vetëm se e ekspozoi atë. Tërheqja zvarrë ishte vetëm metafora e padurueshme e asaj se si është tërhequr zvarrë qeverisja e këtij vendi, herë nga oligarkët, e herë nga qokat ndaj të huajve “të fuqishëm”.
Ngjarjet dhe protesta popullore qe pasoi na treguan:
- Nervi i këtij populli nuk paka vdekur ashtu siç politika ka tentuar ta paraqesë. Ky popull është gjallë dhe të hedh përpjetë.
- Protesta në rrugët e Tiranës është protestë jo vetëm për Zvërnecin por për të gjithë elitën politike shqiptare, konformiste, përfshirë edhe opozitën.
- Si në rastin e protestave kundra armëve kimike dhe atyre studentore, kryeministri u ndje vërtetë i sfiduar në fuqinë e tij politike. Si në të dyja rastet, edhe kësaj here u bë me protesuesit kundra vetë Ramës.
- Protesta masive ishte e tillë sepse ky popull e përcepton se konçesionet në sektorët strategjike dhënë qeverise gjenocidiale te Netanjahut dhe përkrahësve të tij, mund të ketë pasoja edhe për të ardhmen e vendit. Kjo, ishte e para revoltë masive ndaj marrëdhënieve të dyshimta me Izraelin nën moton “jo tradhëtisë”.
-Sot kryeministri flet per investitor nga Katari, ndërkohë ka mbi dy vjet që vetë qeveria dhe të gjitha mediat e kanë paraqitur si investim të dhëndërrit të Trump.
- Pakënaqësia e protestuesve buron nga mungesa e transparencës në të gjithë këtë proçes, qoftë edhe në pretendimet për mbivendosje të pronës në Zvërnec. Ndërsa Greqia, vetëm po nxjerr përfitime për axhendën e saj. Kjo, nuk e kompromenton burimin dhe thelbin e revoltës popullore.
Këto janë protesta që na kujtojnë se sa nevojë kemi për të rithemeluar të gjithë mënyrën se si ne i qasemi politikës dhe lidershipit të saj. Janë shuplaka të rënda ndaj liderëve të partive të mëdha që krenohen se kush e ka dhënë i pari Sazanin.




