A po vidhet laguna e Kune Vainit?/Resort turistik brenda zonës së mbrojtur?…

Shpërndaje

Laguna e Kune-Vainit, një nga pasuritë më të rralla natyrore të Shqipërisë dhe zona e parë e mbrojtur në vend, rrezikon të kthehet në “viktimën” e radhës së betonit dhe resorteve gjigante turistike.

Pas projekteve të mëdha në jug të vendit, ku hektarë të tërë tokash bregdetare janë zaptuar për fshatra turistikë luksozë, një tjetër oligark duket se tashmë ka hedhur sytë nga veriu i Shqipërisë. Burime të besueshme bëjnë me dije se ai po përgatit dokumentacionin për ndërtimin e një resorti gjigant në zonën e Kune-Vainit në Lezhë, me mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe miratimin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, si edhe të kryeministrit Edi Rama.

Sipas të njëjtave burime, projekti parashikon ngritjen e disa hoteleve luksoze, pishinave, fushave të tenisit, ambienteve të shërbimit dhe strukturave të tjera turistike, që praktikisht do të ndryshonin tërësisht fizionominë natyrore të kësaj zone të mbrojtur. Dhe nuk bëhet fjalë për një territor të zakonshëm. Laguna e Kune-Vainit konsiderohet si një nga oazet më të rëndësishme të biodiversitetit në Shqipëri dhe në rajonin e Adriatikut. Ajo ndodhet pranë grykëderdhjes së lumit Drin, vetëm pak kilometra larg Lezhës, dhe prej dekadash ka mbetur një nga hapësirat e pakta bregdetare që i ka shpëtuar betonizimit masiv.

Kjo zonë është shpallur që në vitin 1940 si rezervat natyror dhe konsiderohet zyrtarisht si zona e parë e mbrojtur në Shqipëri. Në këtë lagunë gjenden mbi 200 specie shpendësh ujorë, mes tyre flamingo, pelikanë kaçurrelë dhe specie të rralla migratore. Gjithashtu, zona përfshin pyje ligatinore, moçale, ishuj ranorë dhe habitate unike që janë jetike për ekosistemin e Adriatikut. Pikërisht për këtë arsye, lajmi për një resort gjigant në zemër të kësaj zone ka ngritur shqetësim tek ambientalistët dhe banorët vendas, të cilët druhen se Kune-Vaini mund të ketë të njëjtin fat si shumë zona të tjera bregdetare shqiptare, ku zhvillimi ka ardhur në kurriz të natyrës.

Por në ndryshim nga Rrjolli, ku u desh ndërhyrja e forcave të shumta policore dhe ku protestat e banorëve vijojnë ende, në Kune-Vain situata mund të jetë më e favorshme për investitorin. Kjo sepse nuk bëhet fjalë për një komunitet të gjerë banorësh që pretendojnë tokën, por për një familje të vetme që pretendon pronësinë mbi një pjesë të lagunës. Pikërisht kjo mund të krijojë terren për kombinacione në kurriz të trashëgimtarëve që në fund të shkojnë në favor të ndërtuesit dhe projektit turistik.
Megjithatë, shqetësimi mbetet i madh tek ambientalistët dhe një pjesë e opinionit publik, të cilët druhen se edhe Kune-Vaini mund të ketë të njëjtin fat si shumë zona të tjera bregdetare shqiptare, ku zhvillimi intensiv ka ardhur në kurriz të natyrës dhe interesit publik.

Shqiptarët po shohin çdo ditë sesi brigjet, pyjet dhe lagunat publike po kalojnë në duart e pak njerëzve të lidhur me pushtetin, ndërsa komunitetet vendase mbeten jashtë çdo vendimmarrjeje. Në fakt, historia e Kune-Vainit është shumë më e madhe sesa interesat e një investimi të radhës. Zona ka një trashëgimi të jashtëzakonshme historike dhe natyrore. Që nga periudha ilire e deri tek koha romake, territori përreth Lezhës ka qenë një pikë strategjike e rëndësishme. Në afërsi ndodhet edhe qyteti antik i Lissusit, ndërsa vetë laguna është konsideruar prej dekadash si një perlë ekologjike e Mesdheut. Pas viteve ’90, laguna pësoi dëmtime nga gjuetia e paligjshme dhe ndërtimet pa kriter, por në vitet e fundit kishte nisur gradualisht të rikuperohej falë statusit të mbrojtjes dhe rikthimit të shpendëve migratorë. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Kune-Vaini do të mbetet një pasuri natyrore e shqiptarëve apo do të shndërrohet në resortin luksoz të radhës për pakicën e privilegjuar.

Shpërndaje