Baki Goxhaj prej dy ditësh pa informacion publik, opozita dhe qeveria në heshtje…

Shpërndaje

48 orë pa asnjë informacion të qartë për Baki Goxhajn, ndërsa shtete të tjera reagojnë publikisht për qytetarët e tyre të ndaluar.

Aktivisti shqiptar iu bashkua flotiljes ndërkombëtare “Global Sumud”, misionit humanitar që synonte të çonte ndihma në Gaza dhe të sfidonte bllokadën izraelite. Por ndërhyrja e forcave izraelite në ujërat ndërkombëtare ndaloi flotiljen dhe qindra aktivistë nga dhjetëra vende u shoqëruan drejt territorit izraelit.

Që nga ai moment kanë kaluar afro dy ditë dhe ende nuk ka një informacion të qartë publik se ku ndodhet Baki Goxhaj dhe në çfarë gjendjeje është.

Raportimet ndërkombëtare flasin për mbi 400 aktivistë të ndaluar nga më shumë se 40 vende të botës. Organizatorët e flotiljes e kanë cilësuar operacionin si “pirateri” dhe “rrëmbim në ujërat ndërkombëtare”, ndërsa autoritetet izraelite kanë deklaruar se aktivistët do të transferohen në Izrael dhe do të kenë akses konsullor.

Ndërkohë, disa shtete reaguan menjëherë për qytetarët e tyre.

Italia kërkoi lirimin e shtetasve italianë dhe e konsideroi ndalimin e flotiljes një veprim të paligjshëm. Turqia përdori tone të forta diplomatike, duke e quajtur operacionin “pirateri” dhe duke kërkuar reagim ndërkombëtar. Australia njoftoi se po kërkonte urgjentisht informacion për 11 shtetasit e saj të ndaluar, ndërsa Irlanda deklaroi se çështja do të ngrihej në Bashkimin Europian.

Në Shqipëri, reagimi ka qenë shumë më i vakët.

Dy ditë më parë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme publikoi një deklaratë të shkurtër ku thuhej se po kërkoheshin informacione dhe kontakte për shtetasin shqiptar. Por deri tani nuk ka pasur asnjë sqarim publik mbi vendndodhjen e tij dhe as ndonjë reagim më të fortë diplomatik.

Heshtja nuk ka qenë vetëm institucionale.

Edhe politika shqiptare ka reaguar shumë pak. Deri tani, reagimi i vetëm publik ka ardhur nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i cili kërkoi transparencë për fatin e aktivistit shqiptar.

Përtej debateve politike dhe qëndrimeve mbi konfliktin në Gaza, mbetet një pyetje e thjeshtë:

Si është e mundur që prej afro 48 orësh të mos ketë ende një informacion të qartë publik mbi fatin dhe vendndodhjen e një shtetasi shqiptar të ndaluar në një operacion ndërkombëtar?

Sepse në fund mbetet vetëm ky fakt: një shqiptar është zhdukur nga sytë e publikut prej dy ditësh dhe zëri i shtetit të tij mezi dëgjohet.

Shpërndaje