
Në Shkodër u zhvillua një tjetër seancë dhurimi vullnetar gjaku me moton “Dhuro nga vetja”, e organizuar nga Klubi Studentor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Në aktivitet morën pjesë jo vetëm studentë dhe pedagogë, por edhe qytetarë të qytetit, të cilët iu bashkuan thirrjes për të kontribuar në këtë akt human, veçanërisht në ndihmë të pacientëve talasemikë.
Studentët, të cilët njëkohësisht ishin edhe organizatorë dhe dhurues, u shprehën se nisma të tilla kanë ndikim të dyfishtë: ndihmojnë në shpëtimin e jetëve dhe njëkohësisht forcojnë kulturën e solidaritetit dhe humanizmit te të rinjtë.
Në Shkodër, aktivitetet e dhurimit vullnetar të gjakut zhvillohen shpesh nën kujdesin e Kryqit të Kuq, duke u fokusuar kryesisht te pacientët që vuajnë nga talasemia.
Megjithatë, pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës vijon të ketë nevojë të vazhdueshme për disa grupe gjaku, sidomos për përballimin e rasteve emergjente dhe ndërhyrjeve mjekësore urgjente.




