Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare Mehdi Gerçari (Medushi), ish-mundësi dhe kontribues i Vllaznia…

Shpërndaje

Nga Gasper Marku

Një lajm i hidhur ka pushtuar të dielën e 10 majit komunitetin e sportit shkodran. Është larguar nga jeta në moshën 79 vjeçare një nga sportistët më të mirë të sportit të mundjes, Mehdi Gerçari.

Mehdiu lindi më 4 maj 1947, në një familje atdhetare, e cila gjatë luftës për mbrojtjen e Shkodrës më 1913 dha tre dëshmorë, ndër ta edhe gjyshin e tij. Me një fizik të admirueshëm dhe një energji të pashtershme, ai iu përkushtua sportit të mundjes që në moshë të re.

Që në fillimet e karrierës sportive, Mehdi Gerçari, apo Medushi, siç njihej në rrethin shoqëror,  arriti suksese të njëpasnjëshme, duke u bërë pjesë e ekipit Vllaznia me ekipin e të rinjëve në vitin 1965 ku edhe shpallet kampion i Shqipërisë, dhe më pas federohet në ekipin e të rriturve duke u aktivizuar në vitin 1969 duke qënë pjesë kryesore e Vllaznisë së viteve 70-të përkrah emrave të njohur të asaj periudhe: Mirash Vuksani, Eljaz Guri, Nikoll Grimaj, Dushan Vaso, Gegë Gjoni, Pal Marku, etj, ku nën drejtimin e trajnerit Qazim Elbasani arritën rezultate pozitive.

Por koha nuk ishte e drejtë me të. Biografia e familjes së tij me gjyshin nga nëna të pushkatuar dhe dajat të dënuar me rreth 50 vite burg si kundërshtarë të regjimit, u bë shkak që ai të mbetej shpeshherë i pavlerësuar nga drejtuesit zyrtarë të kohës.

Megjithatë, ai vazhdoi sportin me përkushtim për shumë vite, duke kontribuar në fitimin e shumë trofeve dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e mundjes dhe të sportit shkodran.

Mbi të gjitha, përpos anës sportive, Mehdi Gerçari njihej në komunitetin shkodran dhe më gjërë, si një djal korrekt, model nga ana edukative, i qeshur dhe i dashur me kolegët e sportit dhe miqtë e tij të shumtë, dhe, po kështu edhe si një familjar model.

Realiteti Post i shpreh ngushëllime familjes Gerçari.

Shpërndaje