
Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës së dy personave është regjistruar në aksin dytësor Lezhë–Kakarriq. Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal uji, ku më pas është përmbysur.
Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë babë e bijë, 54-vjeçari Anton Keçi dhe vajza e tij 20-vjeçare, Bora Keçi, e cila ishte në timon në momentin e ngjarjes.
Nga informacionet paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur gjatë orëve të pasdites, por është zbuluar vetëm në mbrëmje, pasi familjarët, të shqetësuar nga mungesa e kontaktit, kanë nisur kërkimet.
Mjeti i aksidentuar është gjetur nga policia gjatë një kontrolli në zonë, ndërsa brenda tij janë konstatuar edhe trupat e pajetë të viktimave.
Autoritetet dhe grupi hetimor janë në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti tragjik.




