
Një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin Rajonal të Korçës, pasi ishte transportuar me urgjencë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, më 30 mars 2026. Viktima është Hysni Qamil Repaj, 64 vjeç, me origjinë dhe banim në Shkodër, i cili u dërgua në spital për të marrë trajtim më të specializuar.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë një kontrolli rutinë nga mjeku i institucionit, Pajtim Hoxhaj, u konstatuan rrahje të ulëta të zemrës përmes oksimetrit, çka bëri të domosdoshëm transportimin e menjëhershëm drejt urgjencës.
Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor në Spitalin Rajonal të Korçës, gjendja e tij u përkeqësua, duke kaluar në arrest kardiak-respirator. Për fat të keq, ndërhyrjet për ta shpëtuar nuk dhanë rezultat.
Hysni Repaj vuante një dënim me burgim të përjetshëm për veprat penale “vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe “armëmbajtje pa leje”, sipas neneve 77 dhe 278 të Kodit Penal. Gjatë kohës në burg, ai kishte marrë edhe trajtim për probleme të shëndetit mendor nga mjeku psikiatër.




