
Krusha e Madhe shënon sot përvjetorin e 27-të, të një prej ngjarjeve më tragjike të luftës në Kosovë, duke nderuar kujtimin e viktimave të vrara nga forcat serbe, mes tyre edhe gra, fëmijë dhe të moshuar.
Më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në këtë fshat të Rahovecit u vranë 243 civilë, ndërsa qindra shtëpi – gjithsej 893 – u dogjën dhe u shkatërruan.
Masakra e Krushës së Madhe renditet ndër krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve gjatë luftës, pjesë e një vale të gjerë dhune nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në gjithë territorin e Kosovës.
Në përkujtim të kësaj date, do të organizohen homazhe dhe aktivitete përkujtimore, ku pritet pjesëmarrja e qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë.
Ndërkohë, Komuna e Rahovecit ka planifikuar një sërë aktivitetesh për shënimin e 27-vjetorit të masakrave të vitit 1999, të cilat prekën disa fshatra të zonës, përfshirë Brestocin, Fortesën, Cëlinën, Krushën e Madhe, Retinë, Opterushën, Pastaselin, Nagacin dhe Hoçën e Vogël.




