Heshtje kur kërkohet guxim, dhe zhurmë kur është tepër vonë!…

Shpërndaje

Rasti i ndërtesës 35-katëshe që po ngrihet në zonën e Fushë-Çelës, në një truall vakëf pranë Xhamia “Ebu Bekër” në Shkodër, ka hapur një debat të fortë mes besimtarëve dhe institucioneve përfaqësuese të tyre.

Më 10 shkurt 2025, gjatë prezantimit të projektit në Shkodër nga Edi Rama, i pranishëm ishte edhe myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari. Në një moment të tillë, kur bëhej fjalë për një pronë vakëf, pra një pasuri me rëndësi fetare dhe komunitare, pritej një qëndrim i qartë dhe mbrojtës nga përfaqësuesit e Myftinisë. Por ajo që pasoi ishte heshtje. Jo vetëm atë ditë, por edhe në muajt që erdhën më pas, nuk pati asnjë reagim publik për një çështje kaq të ndjeshme.

Zëri i kundërshtimit u dëgjua vetëm një vit më vonë, kur punimet për ndërtimin kishin nisur tashmë. Megjithatë, edhe ky reagim rezultoi i shkurtër. Pas një takimi mes myftiut dhe kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, gjithçka u fashit. Çfarë u diskutua në atë takim? Çfarë marrëveshje u arrit? Deri më sot, nuk ka asnjë transparencë për besimtarët, të cilët janë drejtpërdrejt të lidhur me këtë pronë dhe me vendimet që merren në emër të tyre.

Ndërkohë, reagimi i komunitetit nuk mungoi. Shumë besimtarë e përjetuan rëndë këtë situatë, duke e parë si një cenim të pronës vakëf dhe të vetë dinjitetit të tyre. Tensioni arriti kulmin kur një tabelë me thënie profetike, e vendosur në trotuar pranë xhamisë, u hoq me forcë nga policia bashkiake me arsyetimin se ishte pa leje.

Edhe pse tabela u rivendos më pas brenda oborrit të xhamisë, pra në një hapësirë private, ajo u hoq sërish, këtë herë nga policia e shtetit, gjatë orëve të vona të natës, në rrethana që ngritën pikëpyetje serioze ligjore dhe morale.

E gjithë kjo ndodhi ndërsa heshtja institucionale vazhdonte. Edhe gjatë ligjërimeve të Fitër Bajramit, një nga momentet më të rëndësishme për komunitetin mysliman, nuk u tha asnjë fjalë për këtë çështje. Një heshtje që për shumëkënd u duk më e rëndë se çdo deklaratë.

Sepse kur kërkohet guxim për të folur dhe për të mbrojtur atë që është e shenjtë për një komunitet, heshtja nuk është neutralitet, është qëndrim. Dhe kur zëri ngrihet vetëm pasi gjithçka ka nisur apo është konsumuar, ai rrezikon të mos ketë më as peshë dhe as vlerë./RealitetiPost

Shpërndaje