
Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim çështjen ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera gjatë periudhës kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Bashkë me Becin do të gjykohen edhe gjashtë zyrtarë të KESH: Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Rudin Gjoni, Premtim Dauti dhe Adela Ruko.
Tre javë më parë, në seancën paraprake, Beci kërkoi gjykim të shkurtuar.
Sipas SPAK, shkeljet lidhen me një tender të zhvilluar në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me vlerë 96.5 milion lekë. Hetimi u nis mbi bazën e akteve të referuara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberit.




